Nga 1 vit burgim me sa ishte dënuar nga shkalla e parë, Gjykata e Apelit ia ka ulur dënimin në 6 muaj burgim efektiv avokatit Naser Husaj, i cili ishte shpallur fajtor për lajmërim të rremë të veprave penale, transmeton Gazeta Sinjali.
Të njëjtit Apeli ia ka ulur edhe dënimin plotësues, ndalimi ushtrimit të profesionit të avokatisë, nga 3 vite në 1 vit.
Me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, me 21 mars 2017, Naser Husaj akuzohej se me 1 gusht të vitit 2016, në Prokurorinë Themelore në Pejë, me dashje ka bërë lajmërim të rremë të personit zyrtar i ngarkuar me detyrën për të hetuar apo ndjekur.
Sipas aktakuzës, Husaj kishte paraqitur si kryes të veprës penale nga neni 432 (nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore) gjyqtarin e Gjykatës Themelore në Pejë, Rrustem Thaqi, edhe pse e ka ditur se i njëjti nuk është kryes i kësaj vepre penale për të cilën e ka paraqitur.
Lidhur me këtë akuzë, Husaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Deçan, dhe ishte dënuar me 1 vit burgim efektiv. Ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalim i ushtrimit të profesionit të avokatisë në kohëzgjatje prej 3 viteve.
Kundër këtij aktgjykimi ankesë kishte parashtruar vet Husaj, duke kërkuar aktgjykim lirues, me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë nuk e kishte arsyetuar dënimin në prova, se nuk ishin theksuar se cilat ishin ato prova përmes së të cilave është bazuar aktgjykimi.
Lidhur me ankesën e tij, kolegji i Gjykatës së Apelit i kryesuar nga gjykatësi Abdullah Ahmeti, me anëtarët Shqipe Qerimi dhe Ramiz Kuqi, ka marrë vendim më 24 nëntor 2020, me të cilin Husajt ia ka përgjysmuar dënimin me burg efektiv, nga 1 vit në 6 muaj. Kurse dënimin plotësues, nga 3 vite Apeli ia ka ulur në 1 vit ndalimi të ushtrimit të profesionit të avokatisë.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të cilat pretendohen në ankesë, e as shkelje të cilat Gjykata e Apelit i shqyrton sipas detyrës zyrtare.
“Gjykata e shkallës së parë provat i ka vlerësuar në pajtim më dispozitën e nenit 361 par.2 të KPPK-së, kurse për provat kontradiktore ka vepruar në pajtim me dispozitat e nenit 370 par.6 dhe 7 të KPPK-së, duke paraqitur në mënyrë të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsye i merr si të provuara ose të paprovuara. Ajo ka dhënë arsye në të cilat është bazuar me rastin e zgjedhjes së çështjes juridiko penale, veçanërisht përkitazi me vërtetimin e ekzistimit të përgjegjësisë penale të akuzuarit”, thuhet në arsyetimin e Apelit
Apeli ka konstatuar se shkalla e parë ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe plotë gjendjen e fakteve dhe se i pandehuri është kryes i veprës penale, pasi ishte vërtetuar nga provat e administruara nga gjykata e shkallës së parë.
Ndërsa sa i përket dënimit, Apeli ka theksuar se me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh si dhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej 1 viti, është në harmoni me shkallën e përgjegjësisë penale të pandehurit dhe intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale.
Një dënim i tillë, sipas Apelit, do t’i kontribuojë preventivës individuale dhe gjenerale, përmes së cilave do të parandalohet kryerja e veprave penale në të ardhmen.