Reagimet nga Turqia rreth hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem nuk kanë të ndaluar. Pas Ministrisë së Jashtme turke, ka reaguar edhe ish-kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, që tash drejton partinë opozitare “Gelecek Partisi”.
Në një kongres të partisë në Fatih, Davutoglu, dikur bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Recep Tayyip Erdogan, ka folur rreth hapjes zyrtare të ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Lideri opozitar e ka cilësuar këtë hap të autoriteteve kosovare si lajm të hidhur, shkruan Reporteri.net.
Kundërshtari i Erdogan ka thënë se po i digjet zemra për shkak të këtij vendimi. Tutje në fjalimin e tij ish-kryeministri e ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, ka kritikuar Erdoganin për politikë jo aktive në Ballkan.
“Sot po e përjetojmë edhe një ngjarje dëshpëruese. Kosova, ky vend i zemrës sonë, u bë vendi i parë mysliman që ka njohur Jerusalemin për kryeqytet të Izraelit dhe që hapi ambasadë atje. A nuk është koha të pyesim? Nëse edhe në Kosovë nuk ju shkon zëri, pse po uleni ende në Ankara? Pse nuk po arrini t’ia shpjegoni Kosovës hallin tuaj?