Zyrtarisht kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës është zgjedhur Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku i cili ishte në garë më Lufti Hazirin dhe Besian Mustafën mori 190 vota nga 329 delegatë që morën pjesë në votim, njofton Klan Kosova.
Më poshtë mund të gjeni profilin e kryetarit të ri të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Lumir Abdixhiku ka lindur më 22 prill 1983 në Prishtinë.
Abdixhiku përfundoi studimet universitare në Universitetin e Prishtinës, teksa gradën Master i Shkencave e mori në vitin 2006 nga Universiteti Staffordshire në Britani në fushën e Moralit Fiskal.
Në vitin 2013 ai përfundoi Doktoraturën në ekonomi nga Universiteti Staffordshire pas katër vjet kërkimesh dhe hulumtimesh në fushën e përcaktuesve të evazionit të taksave të biznesit në vendet në tranzicion.
Abdixhiku është gjithashtu Drejtori Ekzekutiv i Institutit Riinvest.
Ai u bashkua me Institutin në 2005 dhe që atëherë ka qenë i përfshirë në disa projekte kërkimore, avokuese dhe zhvillimore – në Kosovë dhe jashtë saj.
Abdixhiku ishte ministër i Infrastrukturës dhe Mjedisit nën Qeverinë Kurti. Para kësaj, Abdixhiku ishte Kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitin 2017-2019.
Në zgjedhjet e vitit 2019, Abdixhiku ishte politikani i 9-të më i votuar në Kosovë dhe filloi mandatin e tij të dytë si deputet i Kuvendit të Kosovës. Aktualisht ai është anëtar i Kryesisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.