Fundjava e fundit e vitit 2019 me mot të ftohtë, priten reshje të dobëta bore edhe në vise të ulëta
Një turbullirë me masa të ftohta polare do të kalojë mbi rajon ditëve të fundjavës, që do të kushtëzojë mot të ftohtë, kryesisht me vranësira, e kohë pas kohe me reshje të dobëta bore edhe në vise të ulëta, bën të ditur Prishtina Weather.
Sipas shërbimit të meteorologjisë, në zona malore reshjet do të jenë me intensitet mesatar. Në perëndim të vendit, nga rrafshi i
Dukagjinit, me mundësi më të ulëta për reshje bore.
PW njofton se “në fillim të javës së ardhshme fusha të presionit të lartë nga Evropa Qendrore do të shtrihen mbi rajon, ku do të sjellin kthjellime, mirëpo në aspektin termik temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme nën vlera mesatare”.
“Ditëve të fundjavës parashihet të ketë qarkullim të mjaftueshëm ajror, që do të zbresë vlerat e cilësisë së ajrit rreth vlerave mesatare dhe të mira”, thekson PW.
Parashikimi për periudhën 28 dhjetor 2019 – 1 janar 2020:
28.12 – Ftohtë, kryesisht me vranësira. Kohë pas kohe priten reshje të dobëta bore, e në vise malore me intensitet mesatar.
29.12 – Ftohtë, kryesisht vranët. Kohë pas kohe me reshje të dobëta bore.
30.12-31.12.2019 – Të hënën, ftohtë dhe pjesërisht vranët. Pasdite dhe në mbrëmje priten kthjellime. Në ditën e fundit të vitit 2019, ftohtë, me kthjellime dhe vranësira kalimtare gjatë ditës.
1.01.2020 – Dita e parë e vitit të ri 2020 me mot kryesisht të vranët dhe ftohtë. Vende-vende mundësi për reshje të dobëta bore.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në të dy vlerat ekstreme. Minimalet do të zbresin nga -2C deri në -8C, e ato maksimale nga +2 deri në -1C.
Do të fryjë erë mesatare dhe mesatarisht e fuqishme nga veriu 4-9m/s.
Shtypja atmosferike gradualisht do të shënojë rritje lartë mbi vlera normale.