Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz është duke raportuar sot para deputetëve në Komisionin për Punë të Jashtme.
Në këtë komision, Gërvalla, e ka arsyetuar me limitimin prej 270 karakteresh, një postim me plot gabime nga ana e kësaj ministrie në Twitter të hënën.
Gërvalla ka thënë se e merr përgjegjësinë politike për rastin.
“Përpjekja për të futur në 270 shkronja një mesazh të komplikuar duke lënë anash të gjitha lidhëzat ka shkaktuar një tekst që është…. ju jap të drejtë. Ashtu është. E kemi marrë të njëjtin tekst e kemi zgjeruar. I kemi futua lidhëzat. Është i njëjti mesazh. Mendoj që kemi një tekst të kuptueshëm”, ka thënë ajo.
E për përmbajtjen në të cilën akuzonte presidentin rusi Vladimir Putin se po bëhet më agresiv, Gërvalla ka thënë se “Kosova është e fortë, synon dhe është krah aleatëve të saj”.
“Mesazhi dëshiron të tregojë se Kosova qëndron fort në krahun e aleatëve të saj. E kemi kuptuar e do të shohim të mos na ndodhë asnjëherë”, ka shtuar ajo.
Qëndrimi i MPJ-së për Bjellorusinë të hënën u vlerësua joserioz e me anglishte të dobët. Pas shumë kritikave në publik, MPJ-ja hoqi atë postim duke e zëvendësuar me dy të tjerë.
Më tej, Gërvalla ka paraqitur planin e punës të ministrisë që ajo udhëheq.
Ajo ka theksuar se një nga projektligjet e shumta që ka hartuar kjo ministri është edhe projektligji për shërbimin e jashtëm.
Ministrja ka theksuar se ky projektligj është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm.
“Është hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për avancim të mëtejmë të shërbimit të jashtëm. Me hartimin e këtij projektligji do të bëhen reforma lidhur me shërbimin e jashtëm të Kosovës. Projektligji përcakton edhe ndryshimet thelbësore në strukturën e brendshme organizative të MPJD-së. Ky ligj mundëson krijimin e një shërbimi të jashtëm profesional…”, u shpreh Gërvalla.
Gërvalla theksoi se afati i paraparë për dërgim dhe miratim në qeveri të këtij projektligji është 20 shtatori 2021