Seanca për zgjedhjen e presidentit ka filluar, mirëpo pak kohë pas fillimit të seancës, kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thirrur një pauzë 15-minutëshe.
Në Kuvend aktualisht janë 84 deputetë nga VV, LDK, PDK, AAK dhe pakicat, shkruan Express.
Mimoza Kusari Lila ka prezantuar biografinë e Vjosa Osmanit kurse Haxhi Avdyli të Nasuf Bejtës, këta të dy kandidatë për president.
Për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 deputetë në Kuvend për ta bërë kuorumin, e pastaj mund të zgjidhet edhe me shumicën e thjeshtë të votave prej 61 sosh.
Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, dhe më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.
Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota të deputetëve.
Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.