Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti që të raportojë para deputetëve para shkuarjes në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë midis delegacionit të Kosovës dhe Serbisë, shkruan Reporteri.net.
“Kryesia njëzëri vendosi që kryeministrit Hoti t’i drejtohet më një shkresë, me kërkesën për raportim në Kuvend para nisjes për në Uashington, në takimin e paralajmëruar për datën 27 qershor 2020, midis delegacioneve nga Kosova dhe Serbia”, është thënë në një njoftim të Kuvendit.
Kryesia la të hapur mundësinë që nëse plotësohen kushtet formale-juridike, në këtë seancë do të futet si pikë e fundit e rendit të ditës edhe interpelanca me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti.
Kujtojmë që emisari i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka rindezur motorët për t’i rikthyer palët në tryezën e negociatave. Ai ka marrë konfirmimin nga qeveritë në Prishtinë dhe Beograd se do t’i përgjigjen ftesës për një takim në Washington më 27 qershor. Për t’u lënë vend negociatave, sipas Grenellit, Serbia do ta pauzojë fushatën për anulimin e njohjeve të Kosovës, ndërsa Kosova duhet të heqë dorë nga kërkesa për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Kryeministri Hoti nesër pritet të takojë përfaqësuesit e partive politike në vend për të diskutuar pë platformën e dialogut.