Nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës kanë thënë se dërgimi i letër-urimeve, në drejtim të udhëheqësve shtetërorë, sapo ata ta marrin detyrën, do të vazhdojë.
Në një përgjigje për Gazetën Sinjali nga ky institucion, thuhet se dërgimi i letrave të urimit përbën standard, si dhe është praktikë e rëndomtë në çdo vend demokratik.
“Letër-urimet e shkëmbyera me rastin e emërimeve ndërmjet bartësve institucional shtetëror janë praktikë standarde dhe e rëndomtë e çdo vendi demokratik. Dërgimi i letër-urimeve me rastin e emërimeve të zyrtarëve më të lartë shtetëror në Republikën e Kosovës: President, Kryeparlamentar, Kryeministër, Kryetar i Gjykatës Supreme, Avokat i Popullit dhe bartës të tjerë institucional, ka qenë dhe do të mbetet praktikë e Gjykatës Kushtetuese edhe në të ardhmen.
Letër-urimet e tilla janë dërguar nga Gjykata edhe në rastin e zgjedhjes së kryeministrave pa dallim të përkatësisë partiake, pra si nga PDK, LDK, AAK dhe së fundi edhe LVV, që demanton shumë deklarime të pavërteta dhe të paqëndrueshme që janë publikuar sot në media nga subjekte dhe individë të ndryshëm.
Kjo pra assesi nuk duhet dhe nuk mund të perceptohet si “nënshtrim” ndaj asnjë institucioni tjetër, por ekskluzivisht dhe vetëm si shprehje e vullnetit të mirë për bashkëpunim ndër-institucional, me qëllim të promovimit dhe të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”.
Nga kjo gjykatë thonë se pavarësia vendimmarrëse dhe integriteti institucional i Gjykatës Kushtetuese, si edhe i çdo institucioni tjetër të pavarur shtetëror, janë të garantuara edhe me Kushtetutë.
“Gjykata Kushtetuese këtë tashmë e ka dëshmuar edhe nëpërmjet vendimmarrjes së saj që nga themelimi, ku pikërisht si pasojë e këtyre vendimeve kanë dhënë dorëheqje dhe janë ndërruar disa prej bartësve kryesor institucionalë”.
Këtë të premte kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama Hajrizi, përmes një letre ka shprehur urimet e saj me rastin e zgjedhjes së Albin Kurti, Kryeministër të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Në letër urim thuhet se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe ajo personalisht, e mirëpresin bashkëpunimin e ndërsjellë në forcimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit.