Në disa rajone të Kosovës, pjesët malore janë përfshirë nga zjarret, tha zëdhënësi i Agjencisë së Menaxhimit Emergjencave, Nehat Koqinaj. Ai tha se zjarret po nisini nga fushat dhe ato po arrijnë deri te malet.
“Zjarre ka në rajonin e Prizrenit, Pejës, rajonin e Gjilanit, të Mitrovicës. Nuk e di saktë se cili rajon deri tash ka mbetur pa u prekur, veç rajonit të Prishtinës”, tha Koqinajt, duke shtuar se gjendja po shkon duke u rënduar.
“Temperaturat e larta janë duke i rritur dhe përshpejtuar zjarret, por faktori njeri është shkaktari”, tha Koqinaj.
Ministria e Punëve të Brendshme tha se vatra e cila për momentin është më serioze, është në fshatin Shtupeq të Pejës.
“Në të gjitha vatrat e zjarrit janë të angazhuara me kapacitet të plotë të gjitha institucionet përgjegjëse, të cilat po koordinohen nga Qendra Operative e MPB-së”, thuhet në një komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Koqinaj tha se në terren kanë dalë shumë ekipe që po punojnë për të shuar zjarret.
Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë e angazhuar me personel dhe pajisje në shuarjen e zjarreve.
Po ashtu, me helikopterë, misioni i KFOR -it është i angazhuar në shuarjen e zjarreve në zonë e Rugovës, në Komunën e Pejës.
“Helikopterët e KFOR-it po angazhohen në shuarjen e zjarreve të mëdha, që kanë shpërthyer në zonën e Rugovës, në perëndim të Kosovës. Institucionet e Kosovës, kanë kërkuar ndihmën e KFOR-it për të ndihmuar zjarrfikësit lokalë për të bllokuar zjarret që kanë shpërthyer, veçanërisht në zonat e paarritshme nga autoritetet kosovare”, thuhet në njoftimin e misionit të KFOR-it.
Në njoftim, zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjenerali Günter Schöpf, citohet të këtë thënë se “pas vlerësimit të ndikimit të intervenimit të misionit, por gjithashtu edhe mundësisë së përhapjes së zjarrit, vendosi që të kryejë misionin përmes dy helikopterëve e Komandës së KFOR-it për Lindjen, që mund të mbledhin ujë dhe ta hedhin atë drejt në fjalë, kanë ofruar intervenim të menjëhershëm”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka ftuar qytetarët të kenë kujdes maksimal në ruajtjen e pyjeve, të natyrës dhe mjedisit.
Kjo ministri ka thënë se në kohën kur vendi po ballafaqohet me temperatura të larta, për fat të keq po shfaqet edhe një dukuri shqetësuese, me rrezikimin e jetës së njerëzve, pasoja ekonomike e dëme të mjedisit.
“Është fjala për paraqitjen e zjarreve, që po shfaqen gjithandej në Kosovë, nga të cilat janë duke u dëmtuar pyjet, tokat pyjore, por edhe sipërfaqe tjera rurale e urbane”, thuhet në njoftim.
Ministria e Bujqësisë ka ftuar të gjitha institucionet përgjegjëse duke filluar nga komunat, Njësitë Komunale të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, shërbimin e zjarrfikësve dhe policinë për koordinim të veprimeve, si dhe kujdes të shtuar në parandalimin e zjarreve dhe mobilizim në shuarjen e tyre.
Pyjet përbëjnë rreth 44.7 për qind të territorit të Republikës së Kosovës.
Zjarret në pyje, përveç masës drunore, rrezikojnë edhe florën dhe faunën e egër.