Misteri i kufomave, që dyshohet se janë të një çifti shqiptar, të copëtuara dhe të gjetura në disa valixhe në tokë midis burgut të Firences dhe autostradës Firence-Pisa-Livorno në Itali, duket se ka marrë një pikë kthese.
Një tatuazh duket se shton dyshimet se viktimat janë të dy shqiptarëve, të cilët u zhdukën në atë zonë në vitin 2015. Megjithatë, do të nevojitet një test i ADN-së, por ka shumë të dhëna që çojnë tek Shpëtim dhe Teuta Pasho, 54 dhe 52 vjeçe, burri dhe gruaja që erdhën në Itali për të takuar fëmijët e tyre, ku djali në atë periudhë ndodhej në burg në Sollicciano. Dhe midis hipotezave të krimit është pikërisht edhe “mesazhi” misterioz i ardhur në adresë të vajzës së tyre.
Tatuazhi në krah – Hetuesit janë ende të kujdesshëm dhe nuk e kanë konfirmuar identitetin e viktimave. Por në një krah të gjetur në njërën prej valixheve, ka një tatuazh në formë spirance nën emrin e qytetit shqiptar “Valona” (Vlorë) dhe një shkrim tjetër, “SHP”. Kjo e fundit mund t’i referohet saktësisht inicialeve të emrit dhe mbiemrit të Shpëtimit Pashos.
Të masakruar për vdekje, ndoshta një mesazh? – Ajo që duket e sigurt, sipas vlerësimeve të para të hetuesve, është se viktimat kanë përjetuar një vdekje të dhunshme. Ata janë vrarë duke u shkelmuar, grushtuar dhe madje mbytur. Pastaj janë copëtuar dhe hedhur në tokat bujqësore pranë burgut të Solliccianos. Dhe këtu vjen një nga kthesat e hetimeve. Ndoshta ka qenë një mesazh! Në atë burg, pikërisht në kohën kur çifti shqiptar u zhduk, djali i tyre u arrestua me akuzën e posedimit të 6 kilogramëve marijuanë.
Kufomat të mbështjella – Mbetjet e gjetura janë mbështjellë, me copa najloni dhe shirit ngjitës, ndoshta për të ngadalësuar dekompozimin e tyre. Kufomat janë prerë me mjete të mprehta dhe janë vendosur në një valixhe pak pas vdekjes, pastaj, pavarësisht nga vendndodhja e gjetjeve, dhjetëra metra larg nga njëri-tjetri përgjatë autostradës Firence-Piza-Livorno, valixhet janë hedhur nga një makinë që lëvizte ngadalë përgjatë autostradës. Në dy, nga tre valixhet, paketimi i kufomave ka qenë i njëjtë.
Të gjitha ishin të mbuluara me inerte, por disa madje kishin zënë rrënjë dhe kjo çon në dyshimin se ata kishin qenë atje për shumë kohë. Por ndoshta jo për më shumë se dy vjet, sepse pronari i fushës do të tregonte se dy vjet më parë zona ishte pastruar me një prerës-furçash. Sidoqoftë, nuk përjashtohet që vdekja e tyre të datojë më herët.
Dhunë barbare ndaj gruas – Për shkaqet e vdekjes, autopsia ndaj burrit, e kryer të shtunën e kaluar, çoi në rezultatin se ai është prerë në fyt me një mjet të mprehtë. Për gruan, autopsia e mbetjeve, zbuloi se ajo është rrahur barbarisht. Në veçanti, nga sa është mësuar, ajo ka goditje të shumta në fytyrë dhe kokë, thyerje të kockave dhe të brinjëve.
Flet vajza e çiftit – Vajza e çiftit, e cila jeton në Castelfiorentino (Firence) dhe që në atë kohë kishte kontaktuar me disa dëshmitarë për zhdukjen e prindërve të saj, shpjegon për mediat italiane: “Unë fola me karabinierët dhe po pres përgjigje nga ata për të shkuar të bëj testin e ADN-së. Unë nuk dua të flas derisa e vërteta të konfirmohet nga policia. Ne kërkojmë qetësi, sepse as nuk e dimë nëse trupat e gjetur janë të tyre ose jo”, – deklaroi Dorina Pasho.