Nga: Zaho Golemi
Nderimi për babain e kombit, arkitektin e Pavarësisë, Ismail Qemalin për çdo shqiptar është më se i natyrshëm. Ai është hero dhe legjendë e pavdekshme shqiptare, diplomat model, atdhetar ideal, burrë atdhetar, pishtar mendjendritur, që jetën ja kushtoi atdhetarizmit, politikan i njehsuar me flamurin, krijues i strukturave të para të shtetit, në diplomaci, politikë, ekonomi, ushtri, polici, xhandarmëri, arsim, etj., personalitet i vlerësuar dje “me kursim” dhe sot me “përtim”! Ismail Qemali (16.10.1844 -24.1.1844) është i pari burrë që pas shekujsh robëri, pas Gjergj Kastriotit Skënderbeut, e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që ngjalli shpirtrat shqiptarë të sfilitur luftërave, dhe shpalli pavarësinë më 28.11.1912 dhe ngriti qeverinë shqiptare më 4.12.1912.
Ismail Qemal Bej Vlora: “Më hëngër me të pabesë”!
Ismail Qemal Bej Vlora i mbylli sytë me shprehjen: “Më hëngër me të pabesë”. Një vdekje e mbuluar me mister për babain e kombit shqiptar!. Ai jetoi vetëm pak minuta pasi kishte pirë “filxhanin e kafesë” që ishte veç një filxhan helmi përpara se të nxirrte shkumë nga goja. Një vrasje e pastër me helmim, që nuk bënte zhurmë si krisma e kobures! Por, efektin e kishte të sigurt. Pasi kishte shpallur Shqipërinë të pavarur nga dovleti dhe hykimeti osman, kishte drejtuar si kryeministër 13 muaj e 18 ditë dhe me finesë diplomatike ia kishte dorëzuar detyrën KNK-së, për qeverisje evropiane.
Rikonfirmimi i pavarësisë së shtetit shqiptar në gjithë hapësirën ku flitej shqiptarçe, Ismail Beu e shikonte si hapin e dytë të radhës duke shkuar në Konferencën e Paqes në Versajë. Ishte janari i 1919-ës dhe krijuesi i shtetit shqiptar kërkonte “shtigje” për të qenë të paktën pranë faktorit diplomatik botëror, në këtë konferencë. Udhëheqësit italianë i kishin premtuar deri tek kryeministri Vittorio Orlando, dhe diplomati i regjur në këto punë po gjuante rastin e volitshëm për të shuar në Versajë për çështjen e Shqipërisë, në kryeqendrën franceze ku luhej karta e madhe dhe ku vendosej fati i popujve të vegjël. Ismail Qemal Bej Vlora pak ditë para se ta helmonin shkruante: “…sot është dita vendimtare e Shqipërisë, do të ngjallemi apo do të vdesim. Unë e dua Shqipërinë nën regjimin demokrat e federal për popullin shqiptar”.
Ai ishte stacionuar në hotel “Brufani” në Peruxhia të Italisë dhe priste lajm për takim me politikanët diplomatë italianë, por që vdekja i erdhi nga një dorë misterioze që babain e kombit, një nga njerëzit më të mençur dhe diplomatin e sprovuar nuk e donin “nëpër këmbë”. Prandaj, i erdhi edhe vdekja që ishte shokuese për dy djemtë që nuk iu ndanë deri momentin e fundit të jetës, por dhe për gjithë shqiptarët kudo që ishin.
Njoftimin për vdekjen e tij e njoftoi me një komunikatë të veçantë gazeta italiane “L‘Unione Liberale”, organ i Partisë Liberale të Italisë, e qendrës së djathtë, me 18 fjalë: “Dje në mbrëmje, në orën 23.30 pushoi së jetuari në hotel “Brufani” mysafiri i shquar i qytetit, Ismail Qemal Bej Vlora”. Tre djemtë e tij: Ethemi, Qazimi dhe Qamili, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8.2.1919, shoqëruan trupin e Ismail Qemalit me tren nga Peruxhia në Brindizi, nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë.
Më 12.2.1919, ditën e mërkurë, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora. “…Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë”, shkruante në “Kujtime familjare”, Safa Vlora, “duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës”. Kortezhi kishte dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga Djelmoshat e Vlorës, të shoqërisë me po këtë emër, gazeta Kuvendi, shoqëria djaloshare. Pastaj ecte banda ushtarake që luante marshin funebër, karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq, nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh, hoxhallarët, tre djemtë e Ismail Qemalit, gjenerali Settimo Piacentini (komandant i trupave italiane në Shqipëri), kundëradmirali Lrubetti, autoritete ushtarake që i bënin “nderimet” që meritonte një diplomat i atij rangu, autoritetet civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë. Fakt është se pronari i hotel “Brufani” pagoi të gjitha shpenzimet e sjelljes së trupit të Ismail Qemalit nga Peruxha në Vlorë duke marrë pjesë edhe vetë në ceremoninë e këtij varrimi në Kaninë.
Jani Minga dhe Qazim Kokoshi mbajtën dy fjalime mbresëlënëse. Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në Sheshin e Flamurit më 28.11.1932, ku pas rivarrimit të dytë Ethem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar. Safet bej Vlora, në dosjen “Ismail Qemali” në AQSH dokumentohet edhe varrimi i babait të kombit: “Nëse e matim madhështinë e një personazhi politik me dashurinë e popullit të thjeshtë, duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Gjatë ceremonisë së varrimit të tij, asnjë fshatar dhe asnjë qytetar nuk mbeti në shtëpi. Të gjitha faqet e maleve dhe të brigjeve gjatë rrugës së kortezhit funeral ishin plot me njerëz. Qe një apotezë madhështore e mbarë popullit, pa përjashtim, ndaj një tribuni që i shërbeu vendit të tij deri në frymën e fundit!”.
Profesor Bardhosh Gaçe, historian dhe biograf i Ismail Qemalit, i cili ka bërë kërkime të detajuara në Itali, në Romë dhe në Peruxhia është plotësisht i bindur që Ismail Qemalin e helmuan. Por, le të flasim me gjuhën e fakteve dhe përmes argumentave.
17 argumente mbi vrasjen (helmimin) e Ismail Qemalit
Argumenti I: Dëshmia e Ethem Vlorës, djalit të Ismail Qemalit, që nuk u nda kurrë nga i ati, kur ia tregonte kryetarit të bashkisë së Vlorës, Ali Asllanit (20.12.1918-5.11.1920 dhe 1934-1939) është mjaft decizive: “Një ditë i përgatitën babait një konferencë për gazetarët. Pas buke ai hyri në sallon ku e prisnin korrespondentët e shtypit. Që në fjalitë e para të bisedës, i zverdhur e i lëkundur nisi të belbëzojë e të mos lidhte dot fjalët. Kërkoi ta çonin në banjë. Atje e mbyti shkuma dhe të vjellët”. (Karakteristikë kjo e dukshme e helmimit)
Argumenti II: Dëshmia e pronarit të hotelit që sjell Profesor Gaçe është unikale: “Pronari i hotelit pak momente përpara se të jepte shpirt i është drejtuar të bijës: ‘Po vdes me një peng, kryeministrin e Shqipërisë ma helmuan këtu në hotelin tim’”.