Qeveria Kurti ka shkarkuar të gjithë koordinatorët të cilët u emëruan nga Qeveria Haradinaj, sot në mbledhjen e dytë qeveritare që u mbajt.
Rexhep Hoti, Besnik Tahiri, Mendim Rugova, Fatos Makolli, Burim Ramadani dhe Avdullah Hasani, ku ky i fundit ka dhënë dorëheqje gjatë ditës së djeshme, ishin koordinatorë e emëruar nga ish-kryeministri Haradinaj.
E në mesin e tyre është shkarkuar edhe djali i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës, Mendim Rugova.
Rugova mbante postin e Koordinatorit Nacional për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit.
Ndryshe në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është shfuqizuar vendimi i marrë nga Qeveria Haradinaj në fund të vitit 2017, për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendësministrat e ministrat, e po ashtu edhe disa vendime të tjera.