Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar në emisionin “Opinion” se ambasadori Grenell, i dërguar i posaçëm i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi është keqpërdorur nga presidenti Thaçi dhe Vuçiç.
Mes presidentëve të dy vendeve ka një marrëdhënie të shkurtër, e që këtu e kanë keqpërdorur edhe ambasadorin Grenell, tha Kurti.
“Së pari ka shumë keqinformim nga kundërshtarët e qeverisë jo vetëm në Uashington. Në anën tjetër ka 3 vjet që qarkullojnë fjalët për një shkëmbim territorial dhe është Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë që kanë një marrëdhënie të shkurtër me njëri-tjetrin dhe ata kanë keqpërdorur ambasadorin Grenell në këtë çështje. Ambasadori Grenell vjen tepër vonë në marrëdhënien e shkurtër mes 2 presidentëve. Në konferencat ndërkombëtare qëndrimet publike të tyre janë të sinkronizuara” tha Kurti.
Ai theksoi edhe njëherë se midis dy presidentëve ka një marrëveshje të fshehtë. I pyetur se si ai ka rënë në dijeni të kësaj marrëveshjeje, Kurti tha se një këshilltar i Presidentit Thaçi ja ka parashtruar atë si propozim një këshilltari të tij.
“Është një marrëveshje sipas të cilës Kosova duhet të heqë dorë nga komunat në veri të lumit Ibër, Kosova të marrë ca fshatra në Luginën e Preshevës por kurrsesi Bujanovcin dhe Medvegjën. Një bashkëpunëtor i Presidentit ka biseduar me një nga këshilltarët e mi dhe i ka prezantuar këtë që ju thash unë”, tha Kurti.