Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, darkën e sotme të shtruar në Bruksel për liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, për Kosovën nuk e ka quajtur veprim të mirë.
Ai këtë e ka quajtur darkë miqësore ku kryeministri Albin Kurti është ulur në një tavolinë me kryeministren serbe ende pa kërkuar falje Serbia për krimet gjatë luftës në Kosovë.
“Sot kryeministri ka hyrë në një rrugë që është dialogu me Serbinë, sot është ulë me kryeministren e Serbisë pa u plotësuar asnjë nga parimet e miratuara me rezolutat e Kuvendit të Kosovës. Ende pa kërkuar falje Serbia, pa u zgjidhë fati i të zhdukurve, sot kemi ulje në një darkë miqësore mes kryeministrit të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.
Gjoshi ka thënë se me këtë veprim, janë hapur negociatat por pa konsensus paraprak të brendshëm politik në Kosovë.
“Kjo ulje pa kushte e Kosovës karshi Serbisë, pa një qartësi, të fillohet hapja e rrugës së negociatave pa konsensus të brendshëm politik nuk do t’i bëjë mirë Kosovës. Si opozitë e kemi detyrë ta mbikëqyrim”, ka shtuar ai në Ktv.
Gjoshi ka shtuar se si parti opozitare nuk kanë pasur ftesë nga qeveria për të bashkërenduar veprimet rreth procesit të dialogut. Ai tha se edhe pse dialogun e konsiderojnë përgjegjësi të qeverisë, si opozitë, tha se do ta japin ekspertizën e tyre.