Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka shkruar sot letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në të cilën ka potencuar se e ka të qartë që situata aktuale nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve, dhe kjo është diçka që partia e tij nuk po e kërkon të bëhet tani, por sapo të krijohen kushtet pas kalimit të pandemisë.
Në letër Kurti i thotë presidentit se në takim me të, nuk ka shkuar si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, por si kryeministër, çka me vete ka pasur edhe dy këshilltarë që nuk janë pjesë e VV-së.
“Para takimit dhe pas takimit me Ju, jeni njoftuar zyrtarisht nga unë se takimet me ju po i zhvilloj në cilësinë e Kryeministrit në detyrë dhe kam qenë i shoqëruar nga dy këshilltarët e mi të jashtëm të cilët nuk janë anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Kam qenë në takim që për temë diskutimi ka pasur gjendjen e emergjencës shëndetësore dhe çështjen e shpalljes së zgjedhjeve pas mocionit të mosbesimit”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kurtit, dërguar sot Thaçit.
Por e vërteta del se Kurti në takimin me Thaçin e zhvilloi si kryetar partie, pasi presidenti e kishte ftuar në këtë pozitë, ashtu si edhe kryetarët e partive të tjera, shkruan Telegramisot.com
Në letrën e presidentit të datës 30 mars të këtij viti shkruhet qartë se Kurti është ftuar si kryetar i VV-së në takim për të diskutuar për hapat e mëtejmë pas rrëzimit të qeverisë përmes mocionit.