Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pasi e ka marrë postin e kryeministrit,
Kurti ka thënë se kjo qeveri ka një përgjegjësi historike.
“Ndjehem i përulur para detyrave që i kemi përpara. Do të zhvillojmë ekonomi, të rrisim të ardhura dhe të rrisim sensin e barazisë së shoqërisë, ku secili fiton sa i takon. Pritjet janë të mëdha dhe po ashtu edhe përgjegjësitë”, ka thënë ai.
Kurti ka kërkuar që deputetët e pozitës të mos sillen me arrogancë ndaj atyre të opozitës por të bashkëpunojnë me ta.
“Për deputetët e pozitës që janë gati gjysma, rolin e përgjegjësisë mos e merrni të mirëqenë e mos u sillni me arrogancë pasi siç ju kanë dhënë besimin qytetarët, ashtu edhe ua marrin. Një nënë nga Ferizaj gjatë fushatës na tha se nëse punoni për popull e për shtet keni me pas mbështetjen tonë çdoherë, por nëse jo ne iu largojmë. Këto kurrë mos i harroni tha ajo”, deklaroi Kurti.
“Në institucione jeni zgjedhur për të shërbyer e jo për t’u rehatuar. Duhet të dëshmoni se jeni meritor në pozitat ku jeni vendosur”.
“Për të arritur ndryshim e progres na duhet bashkëpunim, për reforma na duhet një mentalitet i ri i punës, e jo një i shekullit XX”.
“Do të ofrojmë bashkëpunim dhe transparencë e llogaridhënie”.
“Aty ku është shkel ligji do të veprohet që të jepet ligjshmëria. Ku mungon dija dhe vullneti do të veprojmë sipsa ligjit. Ndaj keqpërdoruesve të parasë publike e pozitave zyrtare, do të veprojmë me bazën e ligjit”.
“Raportoni të gjithë shkelësit e ligjit. Për të drejtën tonë për të jetuar të lirë kemi luftuar me shekuj. Shumë na kanë dëmtuar. Asgjë nuk na u është falur e për të gjitha kemi paguar shtrenjtë”, tha ai.
Paraprakisht Kurti lexoi betimin.
“Ne, anëtarët e Qeverisë të zgjedhur nga Kuvendi, betohemi solemnisht se me përgjegjësi, përkushtim e ndershmëri do t’i kryejmë të gjitha detyrat të dhëna nga mandati, duke zbatuar Kushtetutën, ligjin dhe vendimet e miratuara, duke respektuar standardet e normat për liri e demokraci për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ai.