Kryeministri Kurti sot ka qëndruar 4 minuta në një zyrë postare në Prishtinë. Gazeta Express e ka pyetur Qeverinë për këtë vizitë, e zëdhënësi i Qeverisë ka thënë se do të nxjerrin njoftim për “aktivitetin”. Kurti në fakt njoftoi se ka paguar energjinë elektrike. Fotografitë nga akti i ka shpërndarë në Instagram.
Në disa fotografi që ka publikuar Gazeta Express sot, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është parë të jetë ndalur në një zyrë postare në lagjen afër Teatrit Kombëtar, ku edhe banon.
Bashkë me kryeministrin, përvec mbrojtjes së afërt të Kurtit, ishte edhe një pjesë e stafit, përfshirë fotografin.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kur është pyetur për këtë “vizitë” në një pikë postare, i ka thënë gazetës se së shpejti do të dalë njoftimi për “aktivitetin” në fjalë.
“Pas pak del një njoftim për aktiviteti“, ka thënë Kryeziu.
Kryeministri Kurti ka vendosur që në rrjetin social Instagram të njoftojë publikun se ai e ka paguar rrymën sot në postë.
Fotografitë e pagesës, Kurti i ka shoqëruar me një shkrim, ku tregon për shërbimet që i kryen posta, e cila është në pronësi të shtetit.
“Në Postën e Kosovës mund të bëhen pagesat e faturave të energjisë elektrike, ujit, mbeturinat e kësti i tatimit në pronë. Posta punon çdo ditë të javës, pra edhe në fundjavë e gjatë festave zyrtare, deri në ora 22:30. Kjo është bërë që të përshtatet me lëvizjen e qytetarëve sipas shifrës së parafundit të numrit personal të kartës së identitetit. Sot, në Postën afër lagjes sime, bëra pagesën e energjisë elektrike dhe i falënderova të gjithë këta punonjës për punën e tyre”, ka shkruar Kurti.
Në Instagram kryeministri i kishte publikuar edhe fotografitë kur bleu ushqim në një nga shitoret e kryeqytetit.