Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe para varrit të ish presidentit, Ibrahim Rugova në 16 vjetorin e vdekjes së tij.
Kryeministri Kurti ka thënë se ish-presidenti Rugova ishte intelektual i angazhuar, njeri paqësor dhe i qetë, racional e humanist që dha kontribut tejet të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër okupatorit serb dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
“Presidenti Rugova është presidenti i parë i Kosovës, i zgjedhur me votë popullore dhe presidenti i parë i Kosovës së çliruar. Doktor Rugova edhe para se të ishte president, ishte intelektual i angazhuar, njeri paqësor dhe i qetë, racional e humanist. Ai dha kontribut tejet të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër okupatorit serb dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Bashkë me presidenten sot në nderim të Rugovës te varri i tij vendosëm një kurorë me lule të freskëta”, u shpreh Kurti.
Ndërkaq presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se Rugova është arkitekti dhe ideatori i pavarësisë që sot e gëzojmë.
“Sot është 16 vjetori i shkuarjesh në amshim të arkitektit dhe ideatorit të pavarësisë së Kosovës, i cili bëri shumëçka për shtetin tonë saqë është shndërruar në fytyrën e këtij shteti. Ai veproi dhe punoi në një kohë shumë të vështirë për popullin e Kosovë, por në të njëjtën kohë arriti të bëjë bashkë popullin e Kosovës. Ne sot e gëzojmë shtetin tonë por edhe miqësitë që me shumë mund e përkushtim i ndërtoi presidenti Rugova”, tha Osmani.