Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar sot me drejtoreshën e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), Nancy Soderberg.
Soderberg e përgëzoi kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës dhe u shpreh e gatshme për thellimin e bashkëpunimit , pasi ajo tash e tutje do të punojë fizikisht në Kosovë.
“Rëndësia e zhvillimit dhe thellimit të mëtutjeshëm të demokracisë, përveç që është punë e përpjekje e vazhdueshme e Institutit Demokratik Kombëtar, ajo tashmë është edhe në agjendën e prioriteteve të qeverisë sonë”, tha kryeministri Kurti.
“Demokracia zhvillohet kur politikat janë progresiste e ajo thellohet kur në të marrin pjesë edhe më shumë gratë, rinia si dhe grupet e margjinalizuara”, shtoi ai.
Gjatë takimit u fol edhe për zgjedhjet lokale që po afrohen. Kurti tha se nga këto zgjedhje, duhet të dalin udhëheqje komunale, të cilat u shërbejnë me përgjegjësi qytetarëve dhe që ua përmirësojnë atyre përditshmërinë.