Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se ndaj Richard Grenell, të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi nga pesidenti Donald Trump, duhet të veprohet si ndaj ambasadorit Gelbard në vitin 1998.
“Sa i përket të dërguarit të posaçëm Grenell, meqenëse ai ka thënë se Kosova duhet ta heqë reciprocitetin me Serbinë, mendoj se duhet të veprojmë me të njësoj siç vepruam me ambasadorin Gelbard kur në 1998 tha se UÇK-ja është terroriste, pra ta kundërshtojmë njëzëri, në mënyrë që ta kuptojë se kjo qasje është e papranueshme për ne. Asokohe kundërshtimi ynë bëri që Gelbard të zëvendësohet nga Holbrooke, pra, ia pamë hajrin kundërshtimit. Edhe sot na duhet që Richard Grenell të zëvendësohet me një Richard Holbrooke të ri”.
Këto Kurti i deklaroi me anë të një postimi në rrjetin social Facebook në të cilin tha se nuk do të marrë pjesë në një takim virtual që pritej të mbahej me krerët e shtetit dhe ata të partive politike në të cilin do të diskutohej për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Ai ka theksuar se para tri ditëve e kishte pranuar njoftimin për një kërkesë nga ambasada e Kosovës në SHBA, të nënshkruar nga 25 veprimtarë shqiptarë, “për të marrë pjesë në një takim virtual të përbashkët me krerët e institucioneve shtetërore e të partive politike, për të diskutuar perspektivën e strategjitë e veçanta e të përbashkëta të subjekteve kosovare në lidhje me procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë”.