Takim me Ambasadoren e Finlandës në Kosovë, znj. Pia Stjernvall dhe tri parimet për të shëruar pasojat e qasjes së gabuar paraprake: jo marrëveshje pa dialog; jo dialog me harta; dhe jo presidentët e shteteve mbi harta.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti, dhe sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti, mirëpritën sot në takim Ambasadoren e Finlandës në Kosovë, shkëlqesinë e saj, znj. Pia Stjernvall dhe këshilltaren në Ambasadën e Finlandës, znj. Trinka Jusufi.
Znj. Stjernvall uroi kryetarin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe vlerësoi me notë pozitive procesin e rregullt zgjedhor, i cili u monitorua edhe nga vëzhguesit e Ambasadës së Finlandës në Kosovë.
Më tutje u diskutua nevoja që Qeveria e ardhshme të realizojë reforma në sektorë të ndryshëm të vendit, me theks të veçantë në sistemin arsimor. Në takim pati pajtueshmëri që përvojat dhe ekspertiza nga sistemi arsimor i Finlandës do ta ndihmonin reformën dhe përmirësimin cilësor të sistemit arsimor të Republikës së Kosovës. Në lidhje me dialogun me Serbinë, kryetari Kurti përsëriti qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje që për dialogun më e rëndësishme është përmbajtja, sesa afatet kohore, dhe tri parimet për të shëruar pasojat e qasjes së gabuar paraprake: jo marrëveshje pa dialog; jo dialog me harta; dhe jo presidentët e shteteve mbi harta.
Në fund, Ambasadorja Stjernvall i dhuroi kryetarit Kurti dy libra mbi inovacionet shoqërore të Finlandës, si dhuratë për rezultatin zgjedhor dhe si ndihmë për zgjidhjen inovative të problemeve më të cilat përballet vendi.