Gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se i dërguar i posaçëm i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Grenell është keqpërdorur nga presidenti Thaçi dhe Vuçiç.
Sipas Kurtit, mes presidentëve të dy vendeve, ka një marrëdhënie të shkurtër.
“Së pari ka shumë keqinformim nga kundërshtarët e qeverisë jo vetëm në Uashington. Në anën tjetër ka 3 vjet që qarkullojnë fjalët për një shkëmbim territorial dhe është Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë që kanë një marrëdhënie të shkurtër me njëri-tjetrin dhe ata kanë keqpërdorur ambasadorin Grenell në këtë çështje. Ambasadori Grenell vjen tepër vonë në marrëdhënien e shkurtër mes 2 presidentëve. Në konferencat ndërkombëtare qëndrimet publike të tyre janë të sinkronizuara” – tha Kurti.
Ai theksoi edhe njëherë se midis dy presidentëve ka një marrëveshje të fshehtë. I pyetur se si ai ka rënë në dijeni të kësaj marrëveshjeje, Kurti tha se një këshilltar i Presidentit Thaçi ja ka parashtruar atë si propozim një këshilltari të tij.
“Është një marrëveshje sipas të cilës Kosova duhet të heqë dorë nga komunat në veri të lumit Ibër, Kosova të marrë ca fshatra në Luginën e Preshevës por kurrsesi Bujanovcin dhe Medvegjën. Një bashkëpunëtor i Presidentit ka biseduar me një nga këshilltarët e mi dhe i ka prezantuar këtë që ju thash unë”, – tha Kurti.
Në një interviste në emisionin “Opinion”, Kurti ka folur për shkaqet që çuan në rënien e qeverisë së tij vetëm pas 51 ditësh dhe rolin e Grenell në këtë histori.
“Është e vërtetë që kam qenë në komunikim intensiv me të. Fillimisht Ambasadori Grenell ka pasur qëndrimin që Kosova ta heqë taksën 100% dhe Serbia duhet ta pushojë fushatën e çnjohjes së Pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Më pas ai e braktisi këtë të dytën pas një udhëtimi në Boegrad, por së fundi u deklarua edhe kundër reciprocitetit ndaj Serbisë.
Ky për mua ishte kulmi. Unë kam vazhduar të komunikoj me të në mënyrë konstruktive dhe pozitive, por nuk mund të pranoj që Kosova të mos ndërtojë marrëdhënie reciproke me Serbinë, kur dihet që reciprociteti është parimi i shëndoshë për marrëdhënie korrekte bilaterale dhe fqinjësore” – tha Kurti.
“Ambasadori Grenell është emisar i dërguar nga presidenti Trump dhe ai e kishte më të rëndësishme kohën e një marrëveshjeje Kosovë – Serbi se sa tekstin e asaj marrëveshjeje. Tash unë e kam të qartë se pas komunikimit tim me të, ai ka filluar që ta zhvendosë një lloj trysnie tek partneri im i koalicionit që fatkeqësisht e braktisi marrëveshjen tonë të aleancës.
Nuk duhet ta ngatërrojmë faktin se kur amerikanë na qasen në mënyrë bilaterale dhe kur vijnë si ndërmjetësues. Shumë prej zyrtarëve kanë dy kapele, nganjëherë kanë kapelën e vendit që na ka njohur dhe aty ne mund të krijojmë bashkëpunime të reja dhe të thellojmë ato ekzistueset, por ndonjëherë kanë kapelen e ndërmjetësuesit kur qarkullojë në linjën Prishtinë- Beograd.
Kur vijnë tek ne vijnë me kërkesat e Beogradit dhe kur shkojnë tek Beogradi shkojnë me kërkesat e Kosovës dhe duket që këtu ka një ngatërresë. Kur kemi të bëjmë me Ambasadorin Grenell ai vjen si emisar ndërmjetësues dhe atij i është dashur t’i thuhet qëndrimi i Kosovës që përfaqëson interesat tona.
Edhe në vitin ‘99 edhe më 2008 kanë ardhur emisarë të ndryshëm. Në të dy rastet i kemi mbrojtur qëndrimet tona dhe ata kanë qenë nga diku nga mesi me tendencë pozitive.
Ndërkaq në anën tjetër më duhet të them, që Ambasadori Grenell kishte një qëndrim 100% me Beogradin përsa i përket taksës 100% dhe ne nuk mund të bëjmë tjetër veçse ta prezantojmë dhe mbrojmë qëndrimin tonë se Serbisë mund t’i hiqet taksa, por ne nuk mund ta braktisim reciprocitetin” – tha Kurti.