Dy partitë që synojnë të krijojnë Qeverinë e re po e kundërshtojnë zhvendosjen e Presidencës në objektin e ish-Komitetit, që aktualisht shfrytëzohet nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Bujqësisë. Kreu i VV’së, Albin Kurti ka thënë se nuk do të lejojnë zhvendosjen e
Presidencës në këtë objekt për shkak të apetiteve për luks të Thaçit. Njëjtë janë shprehur edhe në LDK, para disa ditësh.
Gazeta Express
Ende pa u bërë kryeministër, Albin Kurti ia ka shuar Hashim Thaçit, ambicien për t’u zhvendosur në objektin e ish-Komitetit, që aktualisht shfrytëzohet nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Bujqësisë.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, kreu i VV’së ka bërë me dije se nuk do të lejojnë zhvendosjen e Presidencës në këtë objekt.
Kurti ka thënë se Qeveria e re do ta ketë prioritet zvogëlimin e shpenzimeve qeveritare dhe se me ardhjen e tij në krye të ekzekutivit, asnjë institucion publik nuk do të zhvendoset në objekte private.
“Kjo nënkupton që nuk mund të lejojmë rialokime të stafit nëpër ndërtesa vetëm e vetëm për të përmbushur apetitet për luks të individëve të caktuar në nomenklaturën politike e as nevojën për përfitime të paligjshme të pronarëve të objekteve të caktuara private”, ka shkruar Kurti.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar para disa ditësh ndaj zhvendosjes së Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nga objektet e tyre.
LDK-ja përmes një komunikate për media ka kundërshtuar vendimin për zhvendosjen e zyrtarëve të këtyre dy ministrive nga objekti i tyre.
“Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshton vendimin për zhvendosjen e zyrtarëve të MKRS-së dhe MBPZHR-së nga objekti i tyre pa u siguruar fillimisht një objekt tjetër në pronësi të Qeverisë, apo ndërtimin e një objekti të ri”, thuhej në reagimin e LDK-së.
Sipas LDK-së, zhvendosja e dy ministrive në objekte private do të ketë kosto enorme.
“Mbi të gjitha, ky vendim është edhe më i paarsyeshëm që po ndërmerret në kohën e tranzicionit nga një qeveri në tjetrën, pa planifikim të mirëfilltë paraprak operativ e financiar që po rezulton në një kosto enorme për qytetarët e Kosovës prej 105 mijë euro qira mujore për dy objekte në pronësi private”, thuhej tutje në reagim.
Ndryshe, zhvendosja e stafit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga objekti i ish-Komitetit për t’i lëshuar vend Presidencës së Kosovës është pezulluar përkohësisht.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), pas kërkesës zyrtare të parashtruar nga Këshilli Organizativ i Protestës për menaxhmentin e lartë të Ministrisë, ka mbështetur tërësisht kërkesën në këtë fazë dhe zyrtarisht i ka kërkuar Ministrisë së
Administratës Publike (MAP), pezullimin e përkohshëm të zhvendosjes, kërkesë kjo që është pranuar nga MAP-i, e cila çështjen e kohës dhe mënyrën e zhvendosjes e ka lënë në përgjegjësi të menaxhmentit të MKRS-së”, thuhej në komunikatën e MKRS’së drejtuar mediave.
Kërkesë për t’u zhvendosur në këtë objekt kishte bërë edhe ish-Presidentja Atifete Jahjaga.
Në Presidencë kishin konfirmuar ekzistencën e kërkesës e deponuar në Kryeministri në fillim të vitit 2014, por nga e cila pak kohë më vonë presidentja ishte tërhequr pas përllogaritjes së kostos për rinovimin e objektit.