Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar sot komunën e Obiliqit, në kuadër të vizitave që ai është duke bërë në secilin qytet të Kosovës për t’u njoftuar me gjendjen me përhapjen e koronavirusit.
Kurti atje është takuar me kryetarin e komunës, Xhafer Gashin, nga i cili ka marrë kërkesën për rishikimin e mundësisë për fillimin e projekteve kapitale, përfshirë edhe ndërtimin dhe rrënimin e objekteve.
Gashi me anë të një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ai po ashtu ka kërkuar nga Kurti që të gjitha vendimet e ardhshme të mirren në koordinim të plotë me komunat.
Postimi i plotë:
Sot prita në takim kryeministrin në detyrë z.Albin Kurti dhe ministren në detyrë znj.Emilja Rexhepi, të cilët i njoftova lidhur me situatën aktuale dhe masat që kemi ndërmarrë si komunën në menaxhimin e kësaj pandemie globale, theksova se për fat të mirë deri me tani nuk kemi asnjë rast të dyshuar me koronavirus, shtabi emergjent lokal i Obiliqit po punon me përkushtim në tejkalimin e kësaj sfide.
Gjatë këtij takimi me theks të veçantë kërkova që të gjithë hapat që do ndërmarrë Qeveria e Rep. së Kosovës, tani e tutje të jenë në kordinim të plotë me komunat, në menyrë që të arrijmë rezultatet e duhura në menaxhim e këtij virusi duke marrë parasysh shpejtësinë e shpërndarjes së tij, po ashtu si Kryetar i AKK-së me kërkesë të kryetarëve të komunave adresova tek Kryeministri z.Kurti që të rishikojnë vazhdimin e procedurave të prokurimit publik dhe të rishikojnë mundësin e fillimit të projekteve kapitale, duke përfshirë fillimin e ndërtimeve dhe rrënimin e objekteve.
Në fund të takimit, të dy palët u dakorduam se lufta në parandalimin e këtij virusi është e të gjithëve pa dallim, në shenjë mikëpritjeje për Kryeministrin z.Kurti dhurova një mirënjohje nga Komuna e Obiliqit si dhe bëmë thirrje tek të gjithë qytetarët që të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektojnë të gjitha rekomandimet e nxjerrura nga MSH-ja dhe IKSHPK-ja.