Albin Kurti e Vjosa Osmani mirëpresin njohjen e Kosovës nga Izraeli, e duket se janë të gatshëm të dëgjojnë Washingtonin për çështjen e ambasadës, gjë që shkaktoi pakënaqësi tek pala serbe.
Për Kurtin, shkruan prestigjiozja britanike “The Guardian”, në rast mospajtimi mes Washingtonit dhe Brukselit, vend do t’i lihet superfuqive të tjera si Rusia.
“Unë nuk mendoj se mund të përballojmë më shumë mosmarrëveshje në mes të Washingtonit dhe Brukselit kur bëhet fjalë për Ballkanin. Nëse ka mospajtime, superfuqitë e tjera si Rusia do të ndërhyjnë”, ka thënë Kurti.
Izraeli e ka njohur Kosovën ndërsa pjesë e marrëveshjes është që kjo e fundit të zhvendosë ambasadën e saj në Jerusalem, gjë që nuk i kishte pëlqyer presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Sipas Guardianit, aleanca e re Kurti-Osmani është mënyra e vetme për të luftuar “një mur të madh të korrupsionit”.
Kurti thotë se korrupsioni që sipas tij është më i përqendruar në krye të shtetit, mund të mposhtet me qeverisjen e tyre.
“Korrupsioni ka qenë në nivel të lartë, por është shumë i përqendruar në krye dhe ne besojmë se mund ta mposhtim atë. Shumë njerëz flasin për tregun e lirë, por në praktikë ne kemi oligarkë dhe kartele e industri të rezervuara për gardën e vjetër”, tha Kurti.
Ndërkaq, për Osmanin lufta kundër korrupsionit është ajo që i ka bashkuar forcat e dy liderëve.
“Pengesa më e madhe para nesh është ky mur i madh i krimit dhe korrupsionit ndër vite. Në mënyrë që ta shkatërrojmë ne duhet të bashkojmë forcat. Mund të kemi pasur dallime në të kaluarën, por ajo që na ka bashkuar është diçka shumë më e fortë dhe kjo është lufta kundër armikut kryesor të brendshëm të vendit tonë – kapjen e shtetit. Nuk ishte se na mungonin institucionet për të luftuar korrupsionin, por mungonte vullneti politik. Kur politikanët e nivelit të lartë të jenë të korruptuar, ai depërton nëpër sistem”.
Nëse synimi i tyre arrihet që Kurti të jetë kryeministër e Osmani presidente, Osmani do të duhet të kthejë BE-në, Britaninë dhe SHBA-në në të njëjtën faqe për sfidat e Kosovës. Tek Joe Biden ajo do ta ketë avantazhin e një presidenti amerikan që njeh rajonin dhe sheh se ka shans që Britania të luaj rol kryesor krahas SHBA-së.