Vesmira Haradinaj, kunata e Ramush Haradinajt, e punësuar në Telekomin e Kosovës si drejtoreshë e marketingut, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com vetë Vesmira Haradinaj, e cila edhe i ka dhënë arsyet e dorëheqjes.
Sipas Haradinajt, dorëheqja ka qenë për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe presionit të vazhdueshëm për anulim të kontratës.
Haradinaj po ashtu ka dhënë edhe disa arsye të tjera të cilat e kanë shtyrë të japë dorëheqje.
“Po, kam dhënë dorëheqje. Pika e parë dhe kryesore mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit. Presioni i vazhdueshëm për anulim të kontratës së punës. Duke u thirr ne evitim te paligjshmërisë, veprojnë totalisht vetë në mënyrë të paligjshme duke i dhënë hapësirë shoqërisë me autorizime që të adresohen në emër të UD KE-së. Mungesa e lidershipit, mungesa e një vizioni të qartë strategjik dhe orientimi i tyre selektiv përmes përdorimit të presionit në forma të ndryshme e sollën vendimin”, ka thënë Haradinaj për KALLXO.com.
Pas kërkesës për dorëheqje, të dërguar te kryeshefja Burbuqe Hana, Haradinaj ka thënë që ende s’ka marrë përgjigje.