Më 25 shtator fillon fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Partitë politike kanë planifikuar që të shpenzojnë miliona euro, por për të cilat nuk po tregohen transparente, duke fshehur burimin, por në raste edhe shumën e shpenzuar.
Ato thonë se financohen nga donatorët të cilët përkrahin subjektin e tyre, si dhe nga pagesat e anëtarësimeve të aktivisteve.
Nënkryetari i AAK-së, njëherësh kandidat për deputet, Rexhep Kadriu, ka thënë, se kjo fushatë do t’i kushtojë më lirë se herëve tjera AAK-së, pasi siç tha ai, janë duke punuar në një strategji ku shpenzimet nuk do të bëhen me postierë, por ato do të jenë të pranishëm në çdo lagje e shtëpi të qytetarëve.
Ai ka bërë të ditur se personalisht shpenzimet e fushatës do t’i mbulojë nga mjetet financiare familjare.
“Shpenzimet i kam familjare si çdo herë, nuk kam donacione nga asnjë njeri. Unë vij nga Gjilani, nuk kërkoj donacione nga askush, me aq sa mjete financiare të kursyera nga familja do të shfrytëzohen për fushatë. Të gjitha deklarimet në bazë të ligjit, AAK i ka të deklaruar nga donacionet të ndryshme që i vijnë, nga kompanitë apo qoftë edhe nga njerëz të vullnetit të mirë të cilët përkrahin Ramush Haradinajn. Kësaj here do të kushtoj më lirë, për arsye se opinioni në Gjilan është i përgatitur të votojë kryeministrin Haradinaj, si dhe koalicionin AAK-PSD ta dërgoj në vendin e parë. Ne po punojmë në një strategji tjetër, dhe harxhimet nuk do të bëhen me posterë, por jemi të pranishme në çdo shtëpi, lagje”, tha Rexhep Kadriu.
Kandidati për deputet i PDK-së, Izmi Zeka, ka thënë se nuk ka luks të shpenzojë për promocionet e fushatës, siç tha ai që standardi i tij anon tek mesatarja.
Por, Zeka premtoi se do të jetë sa më afër qytetarëve siç ka qenë që 20 vite.
“PDK është përgjegjësi e saj që të kujdeset për mbarëvajtjen e partisë dhe njerëzve që i ka kandidatë për deputetë. Një pjesë e financave janë personale, që janë kursyer, por nuk e kam ndonjë luks të madh për ndonjë promocion apo fushatë sepse standardi im nuk i përket ndonjë standardi të lartë por mesatar, por do të bëjnë kuadrot e PDK-së. Unë i garantoj qytetarëve se si kam punuar që 20 vite do të angazhohem në këtë drejtim”, tha Zeka.
Sa i përket shpenzimeve të partisë, Zeka tha se të gjitha mjetet financiare janë legale dhe transparente.
Sipas tij, financimi i partisë bëhet përmes tri burimeve që ndihmojnë subjektin për të bërë fushatë.
“Partitë politike financohen prej KQZ-së dhe prej aspekteve institucionale. Të gjitha mjetet janë transparente dhe legale. Shpërndarja e tyre bëhet në bazë të përqindjes së sigurisë se degëve e të tjera. Financimi është prej tri burimeve, institucional, pagesës së anëtarësimit të aktivistëve si dhe donatorët që ndihmojnë partitë politike për të bërë fushatë”, tha Zeka.
Për dallim nga këto dy parti, Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se fushata do t’i kushtojë rreth 565 mijë euro.
Përfaqësuesi i sekretariatit të financave në Lëvizjen Vetëvendosje, Bekim Gashi, ka thënë se këto mjete do t’i shpenzojnë në tri kategori të ndryshme.
“Këtë vit fushata e Vetëvendosjes kemi planifikuar t’i kushtojë rreth 565 mijë euro, e cila do të ndahet në tri kategori të ndryshme. Siç është e mbrojtja e votës si dhe dita e zgjedhjeve që përmban të njëjtën linjë. Kategoria më e madhe e shpenzimit në këto zgjedhje përmban 39 përqind të buxhetit, aktivitetet dhe mbajtja e tubimeve përbën 33 përqind, si dhe fushata promocionale, shtypi , reklama përbën rreth 27 përqind të miratuar në Këshillin e Përgjithshëm. Ndërsa zgjedhjet e kaluara i kanë kushtuar VV rreth 340 mijë euro.
Gashi theksoi se VV ka planifikuar tre forma të financimit për fushatën para zgjedhore.
Ai njoftoi se të gjitha shpenzimet që do të ndodhin gjatë fushatës do të publikohen në ëeb faqen e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Lëvizja Vetëvendosje ka miratuar buxhetin e saj për zgjedhjet e 6 tetorit në Këshillin e Përgjithshëm. Buxheti është hartuar në bashkëpunim me të gjitha qendrat në gjithë Kosovën, të cilat kanë planifikuar shpenzimet e tyre në bazë të aktiviteteve që do t’i mbajnë gjatë këtyre ditëve. VV ka tri forma të financimit, përmes kuotës së pagesës së anëtarësisë, përmes donacioneve që japin qytetarët për ta ndihmuar Lëvizjen Vetëvendosje si dhe forma e tretë është buxheti që ndahet nga KQZ rreth demokratizimit të partive politike. Të gjitha këto shpenzimet që do të ndodhin, të gjitha të hyrat ne i publikojmë në uebfaqen e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.
Ekonomia Online ka kontaktuar edhe partitë tjera për të mësuar rreth shpenzimeve për fushatë zgjedhore, por të cilat nuk kanë shprehur gatishmëri për t’u prononcuar rreth kësaj çështjeje.