Një nga politikanët më popullorë të viteve të fundit në Kosovë, Arben Vitia, ka muaj që është zhdukur nga jeta publike. Prej humbjes në zgjedhjet lokale, ai nuk ka pasur asnjë paraqitje publike, asnjë shkrim në rrjetet sociale. Madje, as për të dhënë ndonjë këshillë rreth mbrojtjes nga koronavirusi, në cilësi të mjekut a të ish-ministrit të Shëndetësisë.
Më 14 nëntor të vitit të kaluar, Arben Vitia i ftoi qytetarët e kryeqytetit ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Ai ishte kandidat i Lëvizjes vetëvendosje, për të parin e Prishtinës, garë në të cilën humbi nga Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Atë mbrëmje, në një konferencë për media, Vitia e uroi kundërkandidatin për fitoren.
Nga ajo natë, prej Vitisë nuk u dëgjua asgjë .
Nuk u kthye në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa, në heshtje, Vitia dha dorëheqje edhe nga pozita e asamblistit në Komunën e Prishtinës, duke ia lënë këtë pozitë dikujt tjetër në parti.
Para pak ditësh, partia ia ka vazhduar atij pozitën e koordinatorit të Degës në Komunën e Prishtinës, por as për këtë nuk ka pasur ndonjë reagim.
“Beni gojëmbël”, siç e quante shefi i partisë, Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore, nuk është lajmëruar në rrjetet e tij sociale nga data 14 nëntor.
Si mjek dhe si ish-ministër i Shëndetësisë, Vitia nuk ka dhënë ndonjë vlerësim për situatën epidemiologjike në vend, apo ndonjë këshillë për mbrojtje nga koronavirusi.
“Munden të më marrin detyrën e ministrit, por jo edhe profesionin e mjekut, do ta veshi mantelin e bardhë e do t’u shërbej qytetarëve”, kishte deklaruar ai kur ishte rrëzuar Qeveria Kurti 1, në mars të vitit 2020.
Për shkak të popullaritetit që kishte, si një prej më të votuarve të zgjedhjeve te vitit 2019, por edhe për shkak të pandemisë, të gjithë sytë ishin kthyer të gjithë sytë ishin të kthyer kah Vitia.
Ky popullaritet i tij, u përkthye edhe në vota në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Me 107 mijë e 813 vota, ai u rëndit i treti në listën e më të votuarve të VV’së. Ishte prej më të votuarve edhe në nivel të vendit.
Vitia u emërua Ministër i Shëndetësisë edhe në Qeverinë Kurti II, pozitë të cilën e mbajti për më pak se gjashtë muaj. Më pas, partia e caktoi si kandidat për kryetar të Prishtinës.