Forcat speciale izraelite vranë dy oficerë palestinezë të sigurisë të enjten në Bregun e pushtuar Perëndimor, thanë autoritetet palestineze. Një burim izraelit tha se incidenti mund të jetë shkaktuar nga identifikimi i gabuar gjatë një operacioni për kërkimin e personave të armatosur.
Autoriteti Palestinez koordinohet në fushën e sigurisë me Izraelin në Bregun Perëndimor pavarësisht ngecjes së bisedimeve diplomatike. Personeli palestinez rrallë përleshet me izraelitët dhe zakonisht nuk përzihet në bastisjet izraelite në Bregun Perëndimor.
Zyrtarët palestinezë nuk kanë komentuar ende për incidentin e natës së kaluar në Jenin. Sidoqoftë, Ministria e Shëndetësisë e Palestinës tha se përpos dy të vdekurve, një person tjetër është plagosur rëndë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Një burim izraelit tha: “Duket se njësia ndaj të cilës qëlluan me armë ishte e fshehtë. Forcat tona ia kthyen zjarrin, duke menduar se të shtënat nga burrat palestinezë të sigurisë ishin pjesë e përleshjes me terroristët e kërkuar”.
Reklamë
Para pak javësh, Izraeli dhe palestinezët zhvilluan luftime që zgjatën 11 ditë. Gjatë luftimeve u vranë mbi 250 persona, shumica palestinezë në Gaza. Palët arritën armëpushim me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe pas presionit të madh ndërkombëtar për të vendosur paqe.