Qindra qytetarë të Ulqinit protestuan sot përballë ndërhyrjeve të Qeverisë Qendrore në tokat komunale të qytetit bregdetar, duke shprehur pakënaqësinë e thellë për vendimet që, sipas tyre, cenojnë të drejtën e komunës mbi pronat e veta.
Në qendër të protestës qëndron kryetari i komunës, Genc Nimanbegu, i cili është shfaqur i vendosur për të mos lejuar asnjë kompromis në dëm të interesave lokale.
Nimanbegu, i rrethuar nga qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit lokal, ka përsëritur qëndrimin e tij të prerë: “Unë nuk do të ndalem, e ti nisu dhe më arresto”, iu drejtua ai kryeministrit Spajiq në një deklaratë publike që tashmë ka marrë vëmendje të gjerë në media.
Kryetari dhe qytetarët akuzojnë qeverinë për përpjekje për të kaluar tokat komunale nën kontrollin e autoriteteve qendrore pa konsultim dhe pa transparencë, duke e konsideruar këtë një shkelje të autonomisë lokale dhe një akt politik që cenon të ardhmen ekonomike të Ulqinit.
“Ne nuk do të lejojmë që tokat tona t’iu nënshtrohen pazareve politike. Ulqini ka zërin e vet dhe nuk do të heshtë,” – tha një nga protestuesit.
Kjo është protesta e radhës që vjen pas disa paralajmërimeve nga ana e komunës, dhe sipas organizatorëve, nuk do të jetë e fundit nëse qeveria nuk tërhiqet nga vendimi i saj.
Ngjarja është në zhvillim dhe pritet që tensionet të rriten në ditët në vijim, nëse nuk gjendet një zgjidhje përmes dialogut institucional.