Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Sabedin Mehmeti kanë thënë se janë të përkushtuar për të siguruar që prokuroria dhe policia të mbrojnë parimet e lirisë së shtypit dhe të respektojnë në tërësi Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë, i cili mbron burimet e informacionit,
Madje Kryeprokurori Lumezi ka lëshuar edhe një udhëzim detyrues për prokurorët që mos t’i ndjekin penalisht gazetarët kur ata shfrytëzojnë të drejtën e heshtjes për burimet e tyre.
“Gjithashtu, Kryeprokurori i Shtetit ka lëshuar udhëzim detyrues për të gjithë prokurorët, i cili është ndarë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, ku detyrohen prokurorët që të shmangin ndërmarrjen e çfarëdo veprimi hetimor ndaj mediumeve apo gazetarëve, që në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë do t’i detyronte gazetarët apo profesionistet e tjerë të medias të zbulojnë burimet e informacionit”, thuhet në një njoftim.
“Kryeprokurori i Shtetit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë sigurojnë publikun dhe mediat se mbrojtja e të drejtave të gazetarëve dhe profesionistëve tjerë të medias është e rëndësisë më të lartë për të dyja institucionet dhe zotohen se do të ndërmarrin veprime të menjëhershme ndaj kujtdo që nuk i përmbahet këtyre parimeve”, theksohet tutje.