Kryeministri i Kosovës ka apeluar sërish që qytetarët të mos hezitojnë të vaksinohen tani kur ka arritur edhe kontingjenti i parë i vaksinave antiCOVID, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurti, i cili ishte i pari në vend që mori kurën kundër koronavirusit, ka thënë se kjo vaksinë e kompanisë AstraZeneca është e sigurt.
“Në sallën e sporteve ‘1 Tetori’ në Prishtinë, sot pasdite u vaksinova kundër Covid-19. Vaksina është e sigurt dhe do të ndihmojë në tejkalimin sa më të shpejtë të kësaj situate. Prandaj inkurajoj të gjithë qytetarët që të vaksinohen dhe të heqin dilemat mbi dobinë e vaksinimit”, shkroi ai në Facebook.
“Vaksinat janë të nevojshme, vaksinimi është i nevojshëm. Po përballemi me një pandemi shumë të vështirë, zgjidhja përfundimtare e së cilës natyrisht se është vaksinimi i popullsisë.”
I pari i ekzekutivit ka apeluar që qytetarët të vazhdojnë të mbajnë maskat mbrojtëse, distancën fizike, higjienën dhe të evitojnë grumbullimet në vendet e mbyllura.
“I falënderoj të gjithë punëtorët shëndetësorë, falënderoj Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe ju dëshiroj të gjithëve vaksinim të mbarë. Fillojmë me personelin shëndetësor dhe me më të moshuarit, për të vazhduar më pas edhe me të tjerët”, ka përfunduar ai.