Virusi COVID-19 ka mbyllur në shtëpi pothuajse gjithë botën. Teksa është përhapur me shpejtësi në çdo cep të globit, ka detyruar shtete të tëra të marrin masa drastike për të siguruar izolimin dhe mospërhapjen e shpejtë të tij. Njerëzit janë mbyllur nëpër shtëpi prej një kohe të gjatë tashmë. Por çfarë efektesh emocionale ka tek njerëzit karantimi?
Në një lidhje live me Ilva Now, Fadil Citaku, anëtar i Akademisë së Shkencave në Zvicër tha se në kriza shëndetësore e krijuar nga virusi e rrit edhe krizën emocionale, dhe në këtë moment është e nevojshme prania e liderëve të denjë politikë që të qetësojnë qytetarët e tyre.
“Pjesa më e madhe e trurit tonë përbëhet nga emocionet dhe sigurisht që kriza shëndetësore e krjuar nga virusi e rrit edhe krizën emocionale. Ndaj në këto raste është e rëndësishme të kemi liderë të denjë që e kanë të zhvilluar inteligjencën emocionale që t’i qetësojnë qytetarët e tyre.
Liderët politikë, por edhe drejtuesit e kompanive të mëdha duhet të kenë një përgjegjësi sociale sa më të madhe.
Edhe nëse ata nuk i kanë këto aftësi, duhet të ngarkojnë njerëz të tjerë që ta bëjnë këtë punë për ta”, tha ai.I pyetur për fakti se sa mund të durojë truri i njeriut në kushtet e frikës, pandemisë, mbylljes, z. Citaku tha se kjo është një gjë që ndryshon nga njeriu në njeri, “sa më të madhe ta ketë rezistencën ndaj stresit, aq më shumë do të durojë”.“
Ne jemi qenie sociale dhe nuk mund të mbijetojmë pa kontekstin social”, tha ai.