Masat e reja anti-covid të vendosura nga qeveria e Kosovës për shkak të rritjes së shifrave të të infektuarve me koronavirus, kanë krijuar radhë të gjata automjetesh në doganën e Morinës.
Tashmë për qytetarët që hyjnë në territorin e Kosovës kërkohet test ose pasaporta e vaksinimit kundër COVID.
Ditën e sotme shumë qytetarë nuk janë lejuar të kalojnë pasi nuk ishin të pajisur me dokumentacionin e nevojshëm. Ata janë shfaqur të revoltuar në pikënë e kalimit kufitar.
“Na kanë kthyer për testin. Krejt kosovarët po vijnë te ne. Kjo nuk është e drejtë. Të bëhet ndonjë zgjidhje, Ndryshe as ata mos të vijnë. Ne shkojmë dhe punojmë në Kosovë. Nëse nuk bëhet ndonjë zgjidhje ne po dalim të bllokojmë rrugën dhe as ata mos të vijnë dhe as ne mos të shkojmë më andej”, shprehet njëri prej tyre.
Një tjetër pretendon se nuk është njoftuar për këtë vendim të ri, duke treguar se çdo ditë udhëton drejt Kosovës për të punuar në ndërtim për të siguruar bukën e gojës.
“Tani duhet karta e testit. Ne po shkojmë me punu në Kosovë. Nuk jemi informuar. Kur erdhëm këtu po na kthejnë. Atje punojmë në ndërtim, hamall. Për bukë jemi t’u shku”, thotë ai.