Pas konfirmimit të nëntë rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë, Qeveria ka shpallur gjendje emërgjente për shëndetin publik
Kjo pas propozimit të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili njoftoi se nga 13 marsi, kur edhe u shënua rasti i parë, deri më tani janë konfirmuar nëntë raste me koronavirus në gjithë territorin e Kosovës.
Vitia përmes një postimi në Facebook, bëri të ditur se janë konfirmuar edhe katër raste të reja me koronavirus në Kosovë, duke shënuar kështu edhe rastin e parë në Komunën e Podujevës.
Vetëm brenda ditës së sotme janë shënuar edhe tre raste të tjera në Malishevë, të cilat kishin të bëjnë me rastin e parë, të konfirmuar dje, dhe rasti tjetër në Podujevë, për të cilin dihet se ka arritur nga Italia më 5 mars, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “AdemJashari”.
Madje, edhe pse u morën masa parandaluese të shumta deri në ardhjen e këtij virusi në vendin tonë, gjendja ndryshoi gjatë këtyre tre ditëve, tre vendet e para të prekura nga ky virus vdekjeprurës, Vitia, Klina dhe Malisheva, me vendimin e Qeverisë, hynë në karantinë, duke mos lënë kështu të hyjë e as të dalë njëri nga këto dy vende, mirëpo një gjë e tillë pritet të ndodh së shpejti edhe në Podujevë.
Në anën tjetër, opozita qeveritare kanë kritikuar Qeverinë për siç e quajnë ata, papërgjegjësinë që ka treguar në parandalimin e përhapjes së kësaj epidemie në vendin tonë, pasi që udhëtarët të cilët kanë ardhur nga zonat e prekura me koronavirus, si Italia, nuk janë futur fillimisht në karantinë, gjë që sipas tyre edhe ka shpërndarë këtë virus në Kosovë.
Siç raportohet, që nga data 23 shkurt, numri i qytetarëve të kthyer nga Italia në Kosovë ishte 127. Ndërkohë, kontrolli nga autoritetet kosovare kishte qenë tepër i vogël, pa testime adekuate për këtë virus.
Pas panikës së madhe e cila zuri të gjithë vendin këto ditë, si pasojë e së cilës shumë njerëz dolën për të blerë produktet esenciale si miell, e sheqer, 13 marsi duket se i zuri të gjithë të përgatitur.
Vendime të ndryshme janë marrë deri më tani, si ajo e mbylljes së të gjitha qendrave tregtare, përveç atyre ushqimore dhe farmacive, mbyllja e restauranteve, pub’ave e kafiterive, mbyllja e të gjitha institucioneve arsimore, poashtu reduktimi i punëtorëve në institucione të tjera shtetërore.
Gjithashtu, u bë edhe dezinfektimi i të gjithë autobusëve të “Trafikut Urban”, madje edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, të cilët gjithashtu pezulluan të gjitha udhëtimet jashtë vendit.
Madje, është raportuar edhe për pezullimin e xhumave për besimtarët islamë, ku nga BIK’u u bë e ditur që përveç kësaj janë pezulluar edhe të gjitha mbledhjet si të pamet, përveç ceremonive mortore, ku duhet reduktuar numri.