Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, thotë se situata me koronavirus në Kosovë është tejet e rënduar.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Krasniqi tregon se si është riorganizuar stafi gjatë kësaj periudhe dhe cilat janë kapaictetet spitalore për t’u përballur me pandeminë.
Sa u përket raportimeve për mungesa të pajisjeve mbrojtëse nëpër spitale, Krasniqi thotë se autoritetet kanë qenë të përgatitura vetëm për periudhë tremujore dhe jo për përhapje të tillë të virusit.
Radio Evropa e Lirë: Cila është gjendja aktuale me COVID-19 në Kosovë?
Valbon Krasniqi: Gjendja aktuale është jashtëzakonisht e rënduar. Tash e një muaj kemi rritje të numrit të rasteve të të infektuarve në nivel vendi dhe kjo po përcillet edhe me rritjen e numrit të pacientëve që kërkojnë hospitalizim.
Ne kemi pothuajse rreth 600 pacientë të shtrirë në klinikat tona në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë dhe spitale rajonale. Ky numër është i madh kur dihen kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor.
Bazuar në vendimet e qeverisë, të datës 5 korrik, për riorganizimin e personelit shëndetësor, shtimin e kapaciteteve të reja dhe shtimin e numrit të shtretërve dedikuar pacientëve, i kemi bërë të gjitha veprimet në këtë drejtim dhe kemi në dispozicion 750 shtretër për të prekurit nga COVID-19.
Kemi qenë të detyruar ta riorganizojmë një pjesë të madhe të stafit shëndetësor, i cili është duke u marrë me trajtimin e këtyre rasteve. Tashmë i kemi katër klinika brenda QKUK-së, Klinikën Infektive, Pulmologjinë, Neurologjinë dhe Mjekimin Intensiv Qendror, ndërkohë që po planifikojmë të hapim edhe ndonjë repart ose klinikë tjetër, për shkak të rritjes së madhe të numrit të rasteve që po vijnë në QKUK, dhe jemi në riorganizim të ambulancave të pranimit.
Kohëve të fundit është bërë regjionalizimi i pacientëve, që nënkupton se pacientët që vijnë nga regjionet, do të trajtohen në ato spitale rajonale. Kjo e ka lehtësuar sadopak fluksin e pacientëve që vijnë në QKUK.
Megjithëkëtë, numri [i pacientëve] është jashtëzakonisht i madh, si në spitalet rajonale, po ashtu edhe në klinikat e QKUK-së dhe ky presion i rritjes së numrit të rasteve po vazhdon.
Radio Evropa e Lirë: A ka staf të mjaftueshëm mjekësor për t’i trajtuar pacientët, nëse vazhdon kjo rritje e numrit të të prekurve?
Valbon Krasniqi: Ju e dini që Kosova e ka filluar pandeminë me numrin e personelit shëndetësor që e ka pasur në dispozicion dhe me atë staf ka qenë deri para dhjetë ditësh, kur Ministria e Shëndetësisë ka punësuar rreth 100 mjekë dhe 100 infermierë e teknikë, që janë angazhuar në institucione shëndetësore.
Përjashtuar këta të punësuar së voni, ne nuk kemi pasur staf shtesë, përpos disa vullnetarëve që kanë qenë në fazën e parë, gjatë muajit mars dhe prill.
Kjo po e vështirëson jashtëzakonisht shumë punën e stafit shëndetësor dhe, në të njëjtën kohë, kemi edhe një numër të konsiderueshëm të pjesëtarëve të stafit që janë të infektuar, pasi që tani ekspozimi ndaj pacientëve me COVID-19 është shumë më i madh. Duke i pasur parasysh të gjitha këto klinika dhe të gjitha këto spitale rajonale, ku po trajtohen këta pacientë, dhe një numër bukur të madh të stafit shëndetësor që është infektuar… e gjithë kjo po na paraqet vështirësi.
Ne kemi vështirësi shumë serioze sa i përket riorganizimit të personelit shëndetësor dhe po detyrohemi të marrim personel shëndetësor nga ato shërbime që janë reduktuar, si pasojë e situatës epidemiologjike me COVID-19.
Mirëpo, nëse ky numër i madh i të infektuarve vazhdon në këtë mënyrë, do të jemi përballë sfidave shumë, shumë serioze, sa i përket qoftë shtretërve, por edhe personelit mjekësor, që do të jetë në dispozicion për trajtimin e këtyre pacientëve.
Radio Evropa e Lirë: Ka ankesa lidhur me mungesën e mjeteve mbrojtëse, sidomos në Klinikën e Pulmologjisë. Si është realisht situata?
Valbon Krasniqi: Ne bëjmë përpjekje maksimale, që jo Klinikën e Pulmologjisë, por asnjë institucion shëndetësor, sidomos këto klinikat e quajtura COVID, repartet e spitaleve rajonale ku trajtohen direkt pacientët me COVID-19, të mos mbeten asnjëherë pa pajisje mbrojtëse për personelin shëndetësor.
E di që kemi vështirësi në këtë drejtim, mirëpo, krahas burimeve vetanake të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ne kemi pasur donacione nga partnerë të ndryshëm. Po ashtu edhe Ministria e Shëndetësisë disa herë ka intervenuar me mundësitë e veta dhe na ka furnizuar.
Mirëpo, mund të ndodhë që ndonjëherë të mos ketë në sasi të mjaftueshme për momentin. Kjo nënkupton një zinxhir të tërë, që prej kërkesës me kohë. Mirëpo, ne duhet ta kuptojmë edhe një gjë. Planifikimet që kanë qenë në fillim të pandemisë, kanë qenë për tre muaj dhe tash pandemia po zgjat shumë më shumë.
Edhe përkundër atyre planifikimeve, numri i rasteve është rritur jashtëzakonisht shumë dhe ka qenë e pamundur që gjatë gjithë kohës, në vazhdimësi, të përcillet ky numër me të gjitha nevojat që duhen për këta pacientë – përfshirë këtu gjërat tjera.
Radio Evropa e Lirë: Keni deklaruar se do të mbyllemi përsëri nëse lakorja e të infektuarve rritet. Si e keni menduar këtë gjë?
Valbon Krasniqi: Në fakt, nuk kam deklaruar në mënyrë taksative që do të mbyllemi në tërësi. Unë kam thënë që numri i madh i rasteve në rritje dhe numri i madh i rasteve të spitalizuara nuk po na lejojnë dhe nuk po na mundësojnë që të lëvizim përpara në kuptimin pozitiv. Pra, nuk po na lejojnë që të lirohemi dhe të bëjmë plane për t’u liruar.
Dhe, kjo po e rrezikon jashtëzakonisht shumë sistemin shëndetësor, është duke rrezikuar jashtëzakonisht shumë personalin shëndetësor, që është duke i trajtuar këto raste. Dhe, para së gjithash, është duke u rrezikuar në mënyrë serioze shëndeti publik i qytetarëve të vendit.
Vetëm ndërgjegjësimi i qytetarëve mund ta zvogëlojë numrin e rasteve
Radio Evropa e Lirë: Masat e fundit të Qeverisë së Kosovës janë pak a shumë përsëritje e masave të vjetra, me disa të reja që kanë të bëjnë me lehtësimet. Sa i ndihmojnë ato situatës së rënduar me pandeminë?
Valbon Krasniqi: Unë po shpresoj te këto masat e reja dhe sidomos te vënia e theksit mbi nevojën e kontrollimit dhe monitorimit për zbatim më të mirë të masave. Realisht, i kemi masat relativisht të mira për sa i përket parandalimit. Mirëpo, e di që është vënë theksi sidomos mbi mekanizmat kontrollues të zbatimit të masave.
Përveç kësaj, personalisht mendoj se një vetëdije e qytetarëve, një ndërgjegjësim i qytetarëve për situatën serioze në të cilën po kalojmë si shtet, do të ishin masat më të mira për të parandaluar përhapjen e infeksionit edhe më tutje.
Vetëm ndërgjegjësimi i qytetarëve, vetëdija e lartë për t’i zbatuar masat që tashmë dihen, siç janë mbajtja e maskës, mbajtja e distancës, higjiena personale dhe evitimi i grumbullimit të njerëzve në masë, do të mund ta zvogëlojnë numrin e rasteve.
Gastronomët, gjatë një proteste në Prishtinë, kundër masave ndaj koronavirusit, i dhuruan qeverisë, “çelësat” e bizneseve të tyre.
Radio Evropa e Lirë: Sa është mosha mesatare e personave të prekur me COVID-19?
Valbon Krasniqi: Shikoni, ne çdo ditë pranojmë dhe lirojmë raste me COVID-19, kështu që nuk kemi një analizë të hollësishme. Mirëpo, si dukuri vërehet që nuk po përjashtohet asnjë moshë nga prekja me COVID-19. Kemi të moshave të ndryshme, duke filluar nga moshat e reja, deri tek ato të shtyra që janë duke u trajtuar në klinikat tona.
Radio Evropa e Lirë: A janë të gjithë të vdekurit me sëmundje kronike, siç po thonë profesionistët shëndetësorë, dhe me cilat sëmundje shoqëruese po vdesin pacientët?
Valbon Krasniqi: Për këto duhet një analizë e hollësishme t’ju them të drejtën, për të parë të gjitha rastet që kanë përfunduar me fatalitet. Ne pranojmë raporte në baza ditore për numrin e rasteve të vdekura, mirëpo për këtë duhet të ulen institucionet përkatëse dhe të bëjnë analiza; para së gjithash, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, por edhe institucionet tona shëndetësore veç e veç për rastet që i kanë trajtuar në klinikat e tyre. Me siguri që ndërkohë do të bëhen edhe analiza të tilla.