Këto të dhëna u bënë publike sot, në ditën e gruas nga Lëvizja Fol, e cila bëri publikimin e raportit “Pasuria e (pa)ndarë- Posedimi i pasurisë nga zyrtaret politike dhe bashkëshortet e zyrtarëve politik”.
Alba Jakupi nga “FOL” derisa bëri publik raportin, kërkoi të formohet një strategji për zbatimin e plotë të Ligjit për Barazi Gjinore.
“Nga të gjeturat e këtij hulumtimi rezulton se për Qeverinë Hoti vetëm 36 për qind e ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes, ndërsa vetëm 18.5 për qind e zëvendësministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes. Kjo qeveri ka pasur tre ministre gra, dy nga të cilat kanë pasuri në emër të tyre dhe një prej tyre nuk ka. Në ish qeverinë Kurti 85 përqind e ish ministrave kanë pasuri në emër bashkëshortes, ndërsa 50 përqind e ish zëvendësministrave kanë pasuri në emër të tyre. Në këtë qeveri 50 përqind e ministrave gra kanë pasuri në emër të tyre, ndërsa vetëm 33 përqind e zëvendësministreve kanë pasuri në emër të tyre. Për të kaluar më pas në Qeverinë Haradinaj ku vetëm 25 për qind e ish ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes. Ndërsa 50 përqind e ish zëvendësministrave kanë pasuri në emër të tyre. Kjo qeveri ka pasur vetëm një ministre grua që ka poseduar pasuri në emër të saj. Sa i përket legjislaturave, në legjislaturën e gjashtë 32 përqind e ish deputetëve që nuk janë zgjedhur në legjislaturën e shtatë kanë deklaruar pasuri në emër të bashkëshortes. Kurse në legjislaturën e shtatë 30 përqind e deputetëve burra kanë deklaruar pasuri në emër të bashkëshortes. Kur shikojmë komunat e Republikës së Kosovës të cilat udhëheqin nga burrat gjejmë se vetëm 55 përqind e kryetarëve të komunave kanë deklaruar pasuri në emër të bashkëshorteve të tyre. Nga të gjeturat shihet se një numër i madh i zyrtarëve politik nuk ndajnë pasurin e tyre me bashkëshortes. Sidoqoftë duhet ndërtohet një strategji dhe të ndërmarrën hapa që zbatimi i ligjit të jetë efektiv”, tha ajo.
Këto shifra jo të kënaqshme i quajti, krye shefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gucia.
“Situata nuk është e kënaqshme, siç po shihet nga të dhënat e tri mandatave. Legjislativi dhe ekzekutivi janë prapa në regjistrimi e pronës së dy bashkëshortëve. Për mua befasi është niveli komunal, qeverisja lokale ku edhe pse nuk ka asnjë grua kryetare të komunës, gjysma e kryetarëve kanë pronë të regjistruar në emër të dy bashkëshortëve”, u shpreh ajo.
Ndërsa, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli tha se këto numra tregojnë se ka mbetje të patriarkatit në familje dhe institucione.
“Numrat na tregojnë se kemi mbetje të patriarkatit në familje edhe institucione. Ndarja e pasurisë dhe trashëgimisë është indikatori më matës se ku jemi në të drejtat e barabarta në familje”, tha ajo.