Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dorëzuar raportin e punës për vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës.
KQZ kërkon nga Kuvendi që procesi i reformës zgjedhore i nisur prej vitesh të përmbyllet brenda këtij mandati.
Ligjet aktuale me të cilat organizohen zgjedhjet, si Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ai për zgjedhje lokale, janë hartuar dhe miratuar në vitin 2008.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, pohoi se po kërkojnë të mbyllet reforma zgjedhore, pasi që nga miratimi i ligjeve aktuale para 13 vitesh janë organizuar 8 procese zgjedhore gjithsej ndërsa si KQZ janë përballur me çështje të natyrave të ndryshme.
“Procesi i reformës zgjedhore ka filluar prej vitesh, por akoma nuk është përmbyllur. Prandaj, në raportin e punës së KQZ-së për vitin 2020 të cilin e kemi dërguar në Kuvendin e Kosovës, njëri nga rekomandimet e KQZ-së është se legjislativi duhet të përmbyllë procesin e reformës zgjedhore, duke ndërmarrë hapat konkret si dhe duke trajtuar të gjitha çështjet me të cilat është sfiduar KQZ-ja. Ligjet aktuale me të cilat organizohen zgjedhjet, pra ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ai për zgjedhje lokale, janë hartuar dhe miratuar në vitin 2008. Që nga ajo kohë janë mbajtur pesë procese zgjedhore për Kuvendin e Kosovës e tri të tjera për nivelin lokal dhe që nga ajo kohë KQZ-ja është përballur me çështje të natyrave të ndryshme të cilat duhet të trajtohen”, deklaroi Elezi.
Reforma zgjedhore do të mund të trajtonte shumë çështje, përfshirë edhe ato si procesi i numërimit të votave, votimi me kusht, votimi jashtë vendit, certifikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve, mundësia për dixhitalizimin e shërbimeve dhe të tjera çështje që do të mund të shërbenin në përmirësimin e organizmit të zgjedhjeve.
Elezi thotë se KQZ është e gatshme për të dhënë kontributin e saj profesional në hartimin e reformës zgjedhore.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh gatishmërinë për të dhënë kontributin profesional në reformë zgjedhore. Natyrisht se KQZ-ja interesohet për aspektet teknike, ndërsa për aspektet politike u takon subjekteve politike dhe spektrit politik për të vendosur“, thotë ai.
Sipas tij, atyre iu intereson vetëm aspektet teknike dhe në kuadër të kësaj do të ishin edhe rekomandimet që do të jepnin në shërbim të përmirësimit të procesit zgjedhor.
“Çështjet që do të mund të trajtoheshin janë të natyrave të ndryshme, si përshembull procesi i numërimit të votave; votimi me kusht; votimi jashtë vendit; certifikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve; mundësia për dixhitalizimin e shërbimeve, e të tjera. Për sa i takon KQZ-së, në një proces të reformës zgjedhore, do të jepen rekomandimet përmes së cilave besojmë se do të mund të përmirësoheshin aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor”, vijoi Elezi për KP.
Reforma zgjedhore ishte iniciuar në vitin 2011 por deri më tani nuk është finalizuar. Atë kohë kishte pasur disa takime dhe disa propozime që përfshinte ndarjen e Kosovës në zona zgjedhore, numrin e këtyre zonave, numrin e deputetëve, rishikimi i pakicave në Kuvend, votimi i diasporës e shumë çështje të tjera.
Shoqëria civile në vazhdimësi ka kërkuar nga subjektet politike që të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të përmbyllin reformën, pas është e domosdoshme një e tillë për vendin.