Normat e lejuara evropiane të cilësisë së ajrit vlerësohen në 50 mikronë. Ndërkohë që matjet e bëra në Kosovë për cilësinë e ajrit, i tejkalojnë shumëfish këto vlera, sidomos në sezonin e dimrit.
Në Kosovë, numri i ditëve me ndotje të lejuar është 35, ndërsa vetëm gjatë këtij viti (2019) ky numër ka arritur në 50 ditë me ajër të ndotur mbi vlerat e lejuara.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, deri në muajin shkurt mund të ketë edhe tejkalime të tjera të ditëve me ndotje mbi vlerat e lejuara.
Termocentralet (Kosova A dhe B) konsiderohen si burimet kryesore të ndotjes së ajrit, sidomos në rrethinën e Prishtinës, Obiliqit e Fushë Kosovës, duke bërë që këto qytetet të mbajnë primatin për qytetet me ajrin më të pashëndetshëm në Kosovë.
Por, vlerat e ndotjes vlerësohet se i shtojnë dukshëm edhe automjetet në qarkullim, sidomos ato të vjetrat, si dhe shfrytëzimi i qymyrit për ngrohje në zonat urbane si dhe në ekonomitë familjare.
Një raport i Aleancës së Shëndetit dhe Mjedisit me qendër në Bruksel, në shkurt të këtij viti zbuloi se 16 termocentrale të vjetra dhe joefikase të qymyrit në Ballkanin Perëndimor lëshojnë “nivele alarmante të ndotësve që udhëtojnë në distanca të gjata” dhe në Bashkimin Evropian, veçanërisht Rumania, Italia, Hungaria, Bullgaria, Greqia dhe Kroacia dhe më gjerë.
Sipas raportit, 16 termocentralet lëshojnë më shumë ndotje të dioksidit të squfurit sesa tërë flota evropiane e energjisë së qymyrit, e kombinuar me nivele po aq shqetësuese të grimcave dhe oksideve të azotit./kallxo.com/