Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po kërkon edhe një rrugë tjetër për t’ia pamundësuar qeverisë Kurti heqjen e taksës.
Kjo parti është angazhuar që ta parandalojë heqjën e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, vendim ky i paralajmëruar nga kryeministri Albin Kurti dhe i përkrahur edhe nga një pjesë e LDK-së.
Përkrahësit me të mëdhenj brenda LDK-së për heqjen e taksës janë dyshja që dikur akuzonin rëndë njëri-tjetrin, Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani, shkruan Ballkani.info.
AAK-ja e ish kryeministrit Ramush Haradinaj është e prerë në qëndrimin e saj se nëse taksa hiqet ose vendimi për heqjen e saj është afër, atëherë është e pashmangshme mbajtja e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.
Zyrtarë të AAK-së i kanë thënë sot Ballkani.info se kjo parti tashmë ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për këtë seancë.
“Kemi nisur mbledhjen e nënshkrimeve nga partitë tjera dhe jemi gati për t’i siguruar 40 nënshkrimet e nevojshme për seancën e jashtëzakonshme. Votat i kemi kërkuar te PDK dhe NISMA”, ka thënë një zyrtar i AAK-së.
Megjithatë, ai nuk ka mundur ta thotë me saktësi nëse PDK-ja dhe Nisma janë njëzëri të pajtimit që të mbahet kjo seancë.
Një seancë e tillë po shihet edhe si test i parë dhe i fuqishëm për bashkimin e opozitës. Mbetet të shihet se si do të veprojnë PDK dhe Nisma ndaj kërkesës së AAK-së për mbledhjen e 40 nënshkrimeve.
Të kujtojmë se AAK-ja, për dallim prej dy partive tjera opozitare, është dukshëm më e zëshme sa i përket mos-heqjes së taksës. Kjo parti ka filluar edhe me disa aksione simbolike për ta parandaluar një vendim të tillë të Kurtit