Një prej operacioneve më të mëdha kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, që përfshin policë kufitarë dhe doganierë, ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit.
Këtij operacioni, që u emërtua “Pika” për shkak të dy pikave kufitare në “Qafë Morinë” dhe “Qafë Prush”, i ka paraprirë një hetim gati një vjet e gjysmë i Inspektoratit Policor, inteligjencës kosovare dhe institucioneve të veçanta që merren me hetime të kësaj natyre në Republikën e Shqipërisë.
Ditëve të ardhshme, arrestime pritet të ndodhin edhe në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Me këtë operacion është marrë direkt Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, së bashku me prokuroren Habibe Salihi nga Departamenti për Krim të Organizuar dhe krime tjera në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Numri i të arrestuarve dhe i të dyshuarve aktual sillet në rreth 50 policë kufitarë dhe doganierë.