Më 13 mars të këtij viti janë paraqitur dy rastet e para të prekura nga pandemia globale Covid-19, apo e njohur si koronavirus, gjë që kishin shtyrë Qeverinë e Kosovës që të merr vendimet e para për të parandaluar përhapjen e këtij virusi.
Që nga ajo ditë, në burgjet e Kosovës janë pranuar 27 persona, disa prej tyre të dënuar përderisa ndaj disa të tjerëve janë shqiptuar masa e paraburgimit.
Kjo gjë u bë e ditur nga zyra për komunikim publik e Shërbimit Korrektues i Kosovës (SHKK), pasi që “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar informacione nga Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Nehat Thaçi, lidhur me mekanizmat e parandalimit të përhapjes së koronavirusit në institucionet korrektuese dhe atyre të paraburgimit.
Zyra e lartpërmendur ka bërë të ditur se 27 personat e pranuar menjëherë janë dërguar në karantinat e institucioneve korrektuese.
“Nga data 13.03.2020 deri më sot në institucionet korrektuese për të vuajtur dënimin apo në masën e paraburgimit janë pranuar 27 persona. Personat e pranuar fillimisht iu kanë nënshtruar kontrolleve mjekësore, pastaj janë vendosur në karantinat e qendrave korrektuese dhe janë duke u trajtuar me mjete mbrojtëse për periudhën 14 ditore në pavijone/reparte të pranimit për të vazhduar më pastaj vendosjen e rregullt, natyrisht me rekomandim të mjekut”, ka thënë zyra për komunikim publik e SHKK-së.
Sipas SHKK-së, gjatë kësaj periudhe kohore në qendrat korrektuese dhe ato të paraburgimit nuk ka pasur asnjë të dyshuar për koronavirus.
Madje si masa mbrojtëse nga kjo pandemi, është thënë se janë ndaluar edhe vizitat familjare, për çka si alternativë është instaluar sistemi “Skype”, janë pezulluar vendimet e dënimit për 23 persona me gjendje shëndetësore më të rëndë, e po ashtu janë dezinfektuar të gjitha institucionet korrektuese, brenda e jashtë.
“Pas vendimit të Qeverisë për masat parandaluese rreth Koronavirusit (COVID – 19) edhe SHKK ka nxjerr vendim që nga data 12 mars 2020, deri me datë 27 mars 2020, të ndërpriten të gjitha vizitat familjare nëpër të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit. Andaj, gjatë kësaj periudhe kohore SHKK ka ndërmarr masat, si në vijim: Të burgosurve u janë mundësuar telefonata me të shpeshta me familjarë dhe komunikim virtual përmes “Skype”, i cili tashme është i instaluar nëpër të gjitha qendra korrektuese dhe ato të paraburgimit; Ndalohen transferet nëpër burgje për të burgosurit; Redukton transportin në gjykata dhe prokurori, (vetëm në raste shumë emergjente); Shërbimi Korrektues i Kosovës së bashku me Ministrinë e Drejtësisë kanë propozuar pezullimin e vendimit të dënimit për 23 persona me gjendje shëndetësore më të rëndë; Kontroll të vazhdueshme të stafit nga Mjeket të cilët veç janë në qendra korrektuese dhe ato të paraburgimit; Kontroll të vazhdueshme të të burgosurve, të cilët kanë ndonjë simptomë infektive; Furnizim brenda burgjeve për të burgosurit me material higjenik, siç janë: shampon, sapun, dezinfektues për duar dhe furnizim me ujë të nxehtë 24 orë brenda burgjeve”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Zyra e informimit të SHKK-së ka thënë po ashtu se objektet spitalore brenda qendrave korrektuese, të cilat menaxhohen nga Departamenti Shëndetësor i Burgjeve që vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, janë të pajisura mjaftueshëm me produkte medicinale dhe masa mbrojtëse.
“Aktualisht ka kontratë për të gjithë artikujt në listën prej 703 artikujve, po ashtu ka furnizime të mjaftueshme dhe janë bërë porosi për furnizime tjera. Sa i takon materialit mbrojtës, deri më tani objektet spitalore janë furnizuar dy herë dhe për momentin ka material të mjaftueshëm. I gjithë stafi shëndetësor, korrektues dhe të burgosurit janë pajisur me mjete mbrojtëse. Janë ndërmarrë masat e karantinimit për personat në pranim dhe janë duke u trajtuar me mjete mbrojtëse për periudhën 14 ditore në pavijone/reparte të pranimit. Po ashtu jemi në koordinim të vazhdueshëm me IKSHPK-në dhe MSH-në.”, thuhet në përgjigjet e SHKK-së, për “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), më 15 mars 2020, pas konfirmimit të rasteve pozitive me virusin Covid-19, ka marrë vendim që të reduktojë të gjitha aktivitetet në kuadër te KGJK-së dhe të gjykatave në Kosovë.
Sipas kësaj mase që ka hyrë në fuqi nga 16 marsi, gjykatat do të kryejnë vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente, ato të caktimit të masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve-paraburgimit apo masave tjera, rastet e dhunës në familje, masave tjera si dhe rasteve tjera urgjente që eventualisht mund të paraqiten.