Nga 13 marsi kur u shënuan rastet e para me koronavirus në Kosovë, në dhjetë ditët e fundit, numri i të shëruarve nga COVID-19, e ka kaluar numrin e të infektuarve.
Gati dy muaj nga rasti i parë, deri më tani në Kosovë janë infektuar 861 persona, ku 561 prej tyre janë shëruar dhe 27 kanë ndërruar jetë.
Edhe mbrëmë trendi pozitiv vazhdoi me vetëm një rast të konfirmuar derisa vatrat e koronavirusit janë shuar në kryeqytet dhe disa qytete të tjera të prekura, shkruan Telegramisot
Infektologu Valbon Krasniqi ka thënë dje se Kosova po e fiton përballjen me koronavirusin, pas tetë javësh betejë.
Ai ka thënë se në Klinikën Infektive ndodhen të shtrirë vetëm 12 pacientë, tre prej të cilëve janë shëruar, e që i bie se të infektuar që po trajtohen aty janë vetëm 9, shkruan Reporteri.
Që nga e hëna në Kosovë kanë nisur masat lehtësuese, ku qytetarëve u është zgjatur orari i lëvizjes dhe shumë biznese janë hapur.