Kosova ka kaluar nëpër periudhën më të errët sa i përket njohjeve ndërkombëtare që prej shpalljes së pavarësisë.
Në muajin që shkoi janë bërë dy vjet e gjysmë prej kur Republika e Kosovës ka pranuar njohjen e fundit ndërkombëtare.
Ka qenë Barbadosi që i fundit, më 15.02.2018, ka njohur mëvetësinë e Kosovës.
Që atëherë në këtë drejtim nuk është shënuar asnjë rezultat, ndonëse Qeverinë e Kosovës e kanë drejtuar tre kryeministra: Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe tash Avdullah Hoti.
Megjithatë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë thënë se promovimi i sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare mbetet prioritet i pandryshuar që nga viti 2008.
“Për më shumë, politika e jashtme angazhohet në ndërtimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve të mirëfillta dypalëshe të bazuara në respekt të ndërsjellë për promovimin e interesave të përbashkëta ndërshtetërore. Synimet kryesore të politikës sonë të jashtme në aspektin dypalësh mbeten: lobimi për njohje të reja (për vendet jo-njohëse) dhe thellimi i marrëdhënieve me vendet njohëse”, kanë thënë për klankosova.tv nga Zyra për Media e kësaj ministrie.
Meliza Haradinaj-Stublla, Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës
“Sot, Republika e Kosovës njihet nga 116 shtete dhe sa i përket aspektit të njohjes ndërkombëtare, statistikat tregojnë që kemi potencial të mirë të zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale me pothuajse të gjitha kontinentet në nivel shumë të kënaqshëm”.
Ministrja Meliza Haradinaj-Stublla thuhet se ka shtuar përpjekjet për të vendosur marrëdhënie bilaterale formale me të gjitha vendet njohëse.
“MPJD ka strategji, vizion dhe energji të mjaftueshme për ta avancuar procesin e njohjeve, parandalimin e çnjohjeve dhe thellimin e raporteve bilaterale. Republika e Kosovës është në koordinim të plotë me aleatët e vet strategjik në krijimin e rrethanave të favorshme për të avancuar dhe përmbyllur me sukses çështjet që kanë të bëjnë me fuqizimin e subjektivitetit shtetëror, përfshi njohjet e reja dhe parandalimin e çnjohjeve”.
Muaj më parë është arritur një akord në mes të Kosovës dhe Serbisë, që njëra palë ta ndalë fushatën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse tjetra lobimin për tërheqjeve të njohjeve.
Por diplomacia kosovare është duke punuar për të sjellë njohje të reja.
“Rrjedhimisht, duke qenë në të drejtën tonë legjitime të verifikuar edhe përmes GJND-së, ne vazhdojmë të punojmë për të krijuar njohje të reja, për ta fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtar dhe për t’u anëtarësuar në instancat më relevante multilaterale ndërkombëtare”.
Për Kreshnik Ahmetin që ka qenë këshilltar i ish-ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, Kosova ka ngecur në aspektin ndërkombëtar.
Përveç dështimit në UNESCO që ai e përshkruan si goditje të rëndë për Kosovën, shton se dialogu me Serbinë që nga viti 2011 ka qenë procesi më i dëmshëm për njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
“Në vend se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i vitit 2010, të rezultonte me një ofansivë diplomatike të Kosovës, Qeveria e atëhershme e Hashim Thaçit e vendosi vendin në defansivë diplomatike duke filluar dialogun me Serbinë, për çështjet e brendshme të Kosovës”.
“Këto dy momente, dështimi në UNESCO dhe dialogu me Serbinë, janë shkaktarët e performancës së dobët të Republikës së Kosovës në politikën e jashtme. E para ka përcaktuar sinjalin për Serbinë që ta filloi luftën e saj më të ashpër dhe më të hapur diplomatike, ndërsa e dyta ka ndërtuar diskursin e Serbisë në këtë luftë: pra sipas Serbisë, që Kosova nuk duhet njohur sepse të dy vendet ende janë në negociata dhe statusi nuk dihet deri në fund të tyre”, është shprehur Ahmeti
Kreshnik Ahmeti, Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes Vetëvendosje
Por se çfarë ka bërë Lëviza Vetëvendosje në kohën sa ka drejtuar politikën e jashtme që situata të përmirësohet, Ahmeti është shprehur: “Përgjatë periudhës së shkurtër katër mujore të qeverisjes sonë, ka filluar hartimi i strategjisë për të zgjeruar marrëdhëniet diplomatike të Republikës së Kosovës, duke siguruar anëtarësime shtesë në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja”.
“Në kuadër të kësaj punë, janë rikthyer bashkëpunimet dhe koordinimet e ngushta me partnerët tanë ndërkombëtar dhe Shqipërinë, bashkëpunimi me të cilat ndihmon jashtëzakonisht shumë diplomacinë tonë, për shkak të kufizimeve kadrovike, financiare dhe parregullsive të cilat i kemi gjetur në MPJD dhe Shërbimin e Jashtëm Diplomatik”.
Një çështje për të cilën është raportuar në vazhdimësi ka qenë tërheqja e njohjeve ndërkombëtare. Në Beograd janë “ngritur” si trofetë më të çmuar rreth 20 të tilla.
Ahmeti thekson se ndonëse në të drejtën ndërkombëtare nuk ekziston një gjë e tillë si çnjohja, megjithatë pohon se historia njeh praktika të tilla.
“Serbia ka përdorur mjete jokonvencionale për të bindur shtete të caktuara, kryesisht në zona të largëta gjeografike, në Afrikë, Amerikë Jugore dhe Paqësor. MPJD nuk ka qenë efektive të kundërreagojë me kohë”.
Situata mund të përkeqësohet edhe më në këtë aspekt. Ka pasë një akord të prezantuar që Serbia të ndalë lobimin për çnjohje dhe në anën tjetër Kosova të ndalojë së aplikuari në organizata ndërkombëtare. Sipas Ahmetit kjo nuk është ajo që ka ngjarë.
“Këtu duhet kuptuar një gjë mirë: Serbia nuk është pajtuar të mos lobojë për çnjohje. Ajo e ka vazhduar fushatën e saj kundër Republikës së Kosovës edhe pse një gjë e tillë është e panevojshme përderisa Qeveria Hoti ka pranuar që vendi të mos aplikojë në organizata ndërkombëtare”.
“Ky është njëri ndër vendimet më të dëmshme dhe njëra prej goditjeve më të rënda që i ka pranuar Republika e Kosovës nga brenda. Neve nuk duhet të na befasojë fushata e Serbisë kundër nesh, por është e paimagjinueshme që Qeveria e Republikës së Kosovës të ndalë procesin e aplikimeve, e madje të shkojë edhe më tutje duke tërhequr aplikimet e mëparshme, siç ndodhi me aplikimin për aderim në Konventën e Gjenevës”.
“Ne duhet t’i fokusojmë energjitë tona në sa më shumë anëtarësime e njohje dhe në rrjetëzim sa më të madh të pranisë së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Por, Qeveria Hoti me këtë vendim, pas heqjes së reciprocitetit, e ka shtyrë pozicionin e Kosovës më afër Kushtetutës së Serbisë, sesa të Kushtetutës së Republikës sonë”.
Për Arbër Fetahun nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike faji për dështimin në rrafshin ndërkombëtar përveç që mund të jetë i përveçëm është më shumë dështim strukturor i shtresuar ndër vite.
“Politika e jashtme kosovare është konceptualizuar dhe formësuar drejt njohjes ndërkombëtare. Kjo ka qenë strategjia ndër vite e Kosovës, dhe nuk janë shfrytëzuar hapësira të tjera që hyjnë në domenin e politikës së jashtme: siç janë krijimi i bashkëpunimeve edhe me vende jonjohëse, përmes “niche diplomacisë”. Në këtë drejtim, kur njohja është kryefjala atëherë dështimi bëhet më kolateral”.
“Faji është te mungesa e strategjisë për politikë të jashtme dhe e objektivave të qarta. Këtu i shtohet fakti që lobimi për njohje është bërë i çakorduar shpesh edhe mes aktoreve shtetërorë që e formësojnë politikën e jashtme”.
Arbër Fetahu, hulumtues në Klubin për Studime Juridike dhe Politike
Për të lobi kosovar përpos që ka dështuar të shtyjë para agjendën e njohjeve, ka dështuar edhe në mirëmbajtjen e aleancave me partnerët ndërkombëtarë e vende mike që kanë kontribuar më së shumti për njohjet e Kosovës.
“Në momentin që vendet si SHBA apo Gjermania janë stepur nga përkrahja eksplicite e lobimit për njohje të Kosovës, aty janë paraqitur çarjet e para të politikës së jashtme kosovare karshi njohjeve ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Kosova ka dështuar edhe t’i kapitalizojë atributet e veta pozitive si vendimin e GJND dhe agresionin serb. Kësisoj, lobi serb në bashkëpunim me atë rus ka shfrytëzuar këto hapësira dhe ka korrur sukses në dëm të Kosovës”.
Tjetër problematikë edhe për Fetahun është pajtueshmëria që të mos lobohet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Akordi për mos aplikim në organizata ndërkombëtarë është heqje e dore e ushtrimit të sovranitetit të shtetit në një mënyrë. Por, për avantazhe do të mund të flisnim sikur Serbia do e ndalte fushatën e çnjohjeve dhe nëse do kishim sinjale për ndërrim qëndrimi të Serbisë ndaj Kosovës: në këtë rast qasja e Serbisë nuk ka ndryshuar dhe për këtë arsye nuk mund të flasim për avantazhe. Në pozicion kur Kosova është e sulmuar në katër anët nga Serbia në aspektin ndërkombëtar, iniciativa të tilla vetëm qe e forcojnë pozicionin e Serbisë në minimin e shtetësisë sonë”.
Ai thekson se që gjendja të ndryshojë duhet përpiluar një strategji afatgjate e politikës së jashtme.
“Shërbimi i Jashtëm duhet të reformohet medoemos”.
“Një formësim i një strategjie për negociata me Serbinë është hap tjetër që duhet bërë, e që shkon në funksion të etablimit të Kosovës si aktor në arenën ndërkombëtare”.