Zgjedhjet e 6 tetorit e kanë ndryshuar politikën në Kosovë. Ky konkluzion u dha në takimin mes analistëve shqiptarë dhe serbë në Beograd ku u diskutua për dialogun Kosovë-Serbi.
Analisti, Behlul Beqaj tha se skena politike në Kosovë po ndryshon në kuptimin se njerëzit e luftës janë larguar dhe pritet brez tjetër të hyjë në skenë.
Beqaj deklaroi se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i japë një shans gjeneratës së re dhe theksoi se cilësia e zgjidhjes për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë është shumë më e rëndësishme sesa shpejtësia. Po ashtu, ai tha se normalizimi i marrëdhënieve është në interes të dy palëve, raporton gazeta serbe ‘Blic’.
Sipas tij, tani dialogu mund të bëhet më i vështirë pasi në skenën politike do të vijnë njerëz të cilët nuk mund të shantazhohen.
Analisti ka theksuar se lideri i VV-së, Albin Kurti nuk mund t’i ndajë serbët në të mirë dhe të keq, gjë për të cilën ai po përpiqet të zgjedh me kë të bisedojë, por shtoi se atij duhet dhënë një shans për ta treguar veten.
Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiq tha se nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë midis Beogradit dhe Prishtinës, transmeton lajmi.net.
“Kushdo që e merr përsipër të zhvillojë këtë dialog, do të bëjë të njëjtin gabim si paraardhësi i tij nëse mendon se mund ta përfundojë shpejt”.
Miletiq mendon se një ndryshim i madh ka ndodhur gjatë zgjedhjeve në Kosovë dhe që i gjithë sistemi do të ndryshojë.
“Kurti nuk duket i favorshëm për serbët, përkundrazi unë do të thoja që pikëpamjet e tij ndonjëherë janë ekstreme. Tani ai duhet të ndryshojë narracionin në mënyrë që të krijojë një dialog me serbët. Ai nuk ka të drejtë të vendosë me cilët serbë të bisedojë dhe me cilët nuk do”, ka thënë Miletiq duke shtuar se serbët e Kosovës kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe ata janë Lista Serbe.
Analisti Nexhmedin Spahiu tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të ushtrojë më shumë presion për t’i dhënë fund procesit të normalizimit.
Sipas tij, Albin Kurti ka ndryshuar po jo mjaftueshëm.
“Ne do të shohim pikëpmajet e tij të cilat duhet t’i marrim si kalimtare, do të thotë duke lëvizur nga marrëzia që ai foli për të thënë gjëra që ai mund t’i ketë kuptuar ndërkohë”, tha Spahiu.
Kryetari i Këshillit për Qeverisje Gjithëpërfshirëse, Alex Rushvill Grigorev tha se nuk pret marrëveshje të shpejtë midis Beogradit dhe Prishtinës pasi sipas tij kohëve të fundit ka pasur shumë gabime dhe përkeqësime në terren.
Ai shtoi se zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë shënuar tranzicionin e parë të pasluftës, domethënë për herë të parë në 20 vjet do ketë njerëz të rinj në pushtet.