Lista e ‘nxehtë’ me emrat e prokurorëve dhe gjyqtarëve të skandaleve që po u ngushtohet ‘laku’ i Vetingut, pasuri miliona euro, vendime të shumëdebatuara dhe ngacmime seksuale
Largimi nga drejtësia, gjatë kësaj vere, i katër ‘kokave’ të Apelit në Tiranë, Fatmira Hajdari, Shpesa Beçaj, Gjin Gjoni dhe Alaudin Malaj, do të pasohet me përballje të tjera të bujshme me Vetingun. Gjatë vjeshtës së vitit 2020 dhe në vijim, me Vetingun do të përballet Dritan Gina, bashkëshorti i ish-drejtueses së Njësisë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi.
Zonja Gashi, e cilësuar si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla në Prokurorinë e Përgjithshme, është me vendim të formës së prerë, për shkak të mosjustifkimit të pasurisë. Në janar të vitit 2018, Arta Marku, në atë kohë kryeprokurore, e shkarkoi Ginën si kryeprokuror i Elbasanit. Gina bëri rezistencë, duke mos liruar zyrën dhe injoruar vendimin e zonjës Marku. Procesi i Vetingut për Ginën ka nisur që në 12 nëntor 2019, ndërsa Shqiptarja.com mëson se Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar ka hartuar një raport, sipas të cilit prokurori Gina është përfshirë në praktika korruptive.
Ndërkaq, para Vetingut pritet të dalë edhe prokurori i Durrësit, Arian Ndoja, i cili në fillim të muajit nëntor 2019, ishte objektiv i një atentati tek rrethrrotullimi i Shkozetit, ku humbi jetën shoferi i tij. Ndoja ishte në makinë me Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe edhe si Landi Muharremi, ‘i forti i Sukthit’, por edhe si ‘Rrumi’, i dyshuar se urdhëroi rrahjen e amerikano- libanezit Fadi Mitri, për çështjen e konfliktit të 45 mijë metra katror tokë shtetërore në Gjirin e Lalzit. Në makinën e prokurorit çuditërisht u gjend dosja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i vrarë në një atentat mafioz në Vlorë si dhe disa dokumente të vjedhura. Ndoja do të duhet të justifikojë para Vetingut edhe 23 apartamente, 2 lokale, 196 mijë m2 tokë etj. Procesi i rivlerësimit për prokurorin Ndoja ka nisur që në fund të vitit 2019.
Para Komisionit të Vetingut do të dalë edhe gjyqtarja Mimoza Brahimi (Kajo), për të cilën verifikimet kanë nisur që në fund të vitit 2019. Emri i gjyqtares Brahimi u lakua pas një vendimi skandaloz në favor të Gjin Gjonit dhe bashkëshortes së tij Elona Çaushi, për ambientet Duty Free në Rinas. Tenderin për këtë ambiente e fitoi kompania amerikane International Cruise Duty Free, e cila lidhi një kontratë me TIA-n për këto dyqane, por Elona Çaushi arriti t’i mbante ambientet me vendime të gjykatash, të denoncuara edhe Ambasada Amerikane si të padrejta.
Verifikimet kanë nisur që nga viti 2019 edhe për gjyqtarin e Fierit, Ergys Selmani, i njohur për shkak të kallëzimeve dhe akuzave ndaj tij. Gjyqtari është verifikuar edhe është gjetur me shkelje nga KLD në vitin 2018, për shkak se nuk ka zbardhur në kohë një urdhër mbrojtje për Liljana Rukajn, gruan që u vra nga bashkëshorti i saj. Vetingu ka nisur edhe për gjyqtarin e Tiranës, Lazër Sallaku, i cili ka mbyllur dosjen CEZ me mbi 400 milionë euro kosto për buxhetin e shtetit si dhe çështjen e lobimit rus të PD, ku nën akuzë ishte kreu i opozitës Lulzim Basha.
Po ashtu, me Vetingut pritet të përballet këtë vjeshtë edhe gjyqtarin Ibrahim Hoxha i arrestuar dhe i dënuar nga shkalla e parë për korrupsion, pasi u kap nga policia duke marrë 6 milionë lekë për një çështje. Gjyqtari i Fierit Roland Hysi, i dënuar nga shkalla e parë me 3 vite burg për korrupsion, po verifikohet gjithashtu dhe pritet të dalë para Vetigut. Hoxha dhe Hysi nuk e kanë humbur statusin e gjyqtarit pasi nuk janë dënuar me vendime të formës së prerë.
Verifikimet kanë nisur gjithashtu edhe për gjyqtarin e Gjirokastrës, Guximtar Boçi, i pezulluar nga KLD që në vitin 2016, për shkak të akuzave për favore seksuale në këmbim të një vendimi gjyqësor. Boçi është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Vlorës, por gjyqtari do të përballet me Vetingun.
Shumë shpejt para Vetingut do të dalë edhe gjyqtari i Vlorës, Ken Dhima, një emër i lakuar i drejtësisë. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj në 2018 shkarkimin e tij nga detyra për shkelje të rënda profesionale, por KLD e shpëtoi. Kur i thirr nga KLD për sqarime, Dhima sulmoi procesin e Vetingut dhe reformën në drejtësi, duke i konsideruar si një vepër e George Soros.