Me anë të një fushate vetdijesuese me moton “Vendose maskën, shpëto jetë”, komuna e Gjilanit ka nisur sot një aktivitet për të ngritur vetëdijesimin e qytetarëve për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
Nënkryetari i kwsaj komune, Arbër Ismaili, tha se pandemia COVID-19 mund të luftohet vetëm duke respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore të vendit.
“Ekipet e të rinjve që dalin sot në terren së bashku me Policinë e Kosovës, e bëjnë këtë për sensibilizimin e qytetarëve në përdorimin e masave mbrojtëse. Kjo mbetet mënyra e vetme e luftimit të pandemisë globale”.
“Apelojmë që të vazhdohet me respektimin e rekomandimeve të institucioneve të shtetit për bartjen e maskave, higjienës dhe ruajtjen e distancës sociale, në mënyrë që sa më pak të rezultojnë raste me infeksion dhe sa më shpejtë ta kalojmë këtë situatë”, ka deklaruar Ismajli.
Nga Komuna e Gjilanit bëjnë me dije se këtë aktivitet do ta bëjnë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ku janë të angazhuar edhe të rinjtë e shkollave të mesme dhe organizatave të ndryshme jo-qeveritare, në shpërndarje të maskave dhe vetëdijesim të qytetarëve për masat mbrojtëse anti-COVID-19.
I njëjti aktivitet do të bëhet edhe nëpër lagjet e qytetit të Gjilanit ku jetojnë minoritetet, në mënyrë që të përfshihen në këtë fushatë vetëdijesuese të gjithë qytetarët e kësaj komune pa dallim.