Sindikata e Policisë së Kosovës dje ka paralajmëruar protesta në rast se nuk merren parasysh kërkesat e saj, kërkesa këto si ndryshimi i Ligjit për Pensionin e Parakohshëm, pagesat e orëve shtesë, përfitimi nga Pakoja e Rimëkëmbjes dhe pagesat e shujtave.
Kërkesat e Sindikatës i përkrah edhe KMDLNJ-ja, që thotë se edhe nga qeveritë paraprake nuk ishin përfillur ose bërë përpjekje për zgjidhjen e pjesshme të këtyre kërkesave.
“Kjo sindikatë e afatizoi përmbushjen e kërkesave, në të kundërtën Policia do të bëjë grevë duke e ndërprerë punën. Realisht, sipas ligjeve në fuqi, Policia e Kosovës, si shërbim shumë specifik dhe i pazëvendësueshëm për sigurinë e qytetarëve, si dhe sigurinë e shtetit nuk ka të drejtë të bëjë grevë përveçse mund t’i lejohet që për një kohë të shkurtër përfaqësuesit e saj të mblidhen duke i adresuar shqetësimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, interesat e të cilëve i përfaqësojnë dhe i mbrojnë”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.
Nga KMDLNJ-ja vlerësojnë se kërkesat e listuara nga Sindikata e Policisë së Kosovës janë të arsyeshme dhe ato sipas tyre ato duhet të përmbushen nga Qeveria e Kosovës pa humbur kohë.
“KMDLNJ-ja përkrah në tërësi kërkesat e Sindikatës së Policisë së Kosovës, duke i vlerësuar si të arsyeshme dhe domosdoshmërisht të realizueshme dhe çdo përpjekje për mospërmbushjen e tyre e vlerëson si hapje e derës për rritje të korrupsionit brenda këtij institucioni, si dhe dukurive tjera negative”, thuhet më tej në njoftim.