Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani, pasi që kjo e fundit u arsyetua për faktin se pse dje në postimin e saj për Betejën e Koshares nuk e përmendi UÇK-në, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një shkrimi në Facebook, Klinaku ka thënë se UÇK dhe pjesëtarët e saj nuk mund të mbrohen me fjalë goje nga askush, e madje as nga presidentja.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, nuk mund të mbrohen me fjalë goje nga askush e as nga Presidentja, por me vepra konkrete siç është ligji dhe zbatimi i tij me anë të akteve nënligjore. UÇK-ja është duke u përballur me Serbinë në pseudogjykatën e Kosovës në Hagë, ndërsa krerët e shtetit dhe institucionet përgjegjëse bëjnë “sehir” në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve, masakrave e gjenocidit të shkaktuar nga Serbia dhe serbët”, ka thënë ai.
Tutje, Klinaku i ka reaguar edhe kryeministrit Kurti.
Sipas tij, kryeministri në vend se të bashkëpunojë me Shqipërinë në të gjitha aspektet, ai po përzihet në punët e brendshme të saj.
“Në vend se të bashkëpunohet me Shqipërinë në të gjitha aspektet, e edhe në çështjen e pandemisë siç është vaksinimi, Kryeministri ynë përzihet në punët e brendshme të saj, duke bërë fushatë elektorale për t’i zgjedhur njerëzit e tij atje, me qëllim që t’i përdor kundër pushtetit të zgjedhur”, ka shkruar Klinaku.