Banka Popullore e Kinës njoftoi të dielën se do t’i investojë 1.2 trilion juanë ose rreth 173 miliardë dollarë në ekonomi për ta luftuar rënien e shkaktuar nga efekti i koronavirusit.
Kjo bankë tha përmes një deklarate se do ta vendosë në dispozicion këtë shumë të parave nga rezerva shtetërore për t’i ruajtur stabilitetin e sistemit bankar dhe stabilitetin e valutës shtetërore.
Vendimi do të hyjë në fuqi në ditën kur do të rihapen tregjet financiare të Kinës, pas pushimit zyrtar të Festivalit të Pranverës.
Ndryshe, nga koronavirusi janë infektuar mbi 14 mijë persona, ndërsa kanë vdekur 305, njëri prej tyre në Filipine.
Banka Popullore kërkoi nga institucionet financiare që të ofrojnë burime të mjaftueshme kreditore për spitalet dhe organizatat e tjera mjekësore.
Vitin e kaluar, rritja ekonomike në Kinë ishte vetëm 6.1 për qind, niveli më i ulët në tri dekadat e fundit.
Analistët financiarë kanë paralajmëruar se përhapja e koronavirusit mund të ndikojë negativisht në ekonominë e vendit.